RTSH 24 Live

Botë

"Izraeli do t'i përgjigjet Iranit", kryeministri Netanyahu tha se vendi i tij do t’i marrë vetë vendimet

18/04/2024

"Izraeli do t'i përgjigjet Iranit", kryeministri Netanyahu tha se vendi i tij do t’i marrë vetë vendimet

    
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se vendi i tij ka të drejtën për t’u vetëmbrojtur pas sulmit të paprecedentë të Iranit, ndërsa theksoi se do të jetë vetë Izraeli që do të vendosë se si do të përgjigjet. 

Irani lëshoi më shumë se 300 dronë dhe raketa në Izrael gjatë fundjavës në një sulm që shkaktoi pak dëme, pasi shumica e tyre u kapën nga mbrojtja ajorore vendase dhe aleatët. 

Ushtria izraelite tha se do të përgjigjet, duke shkaktuar një stuhi diplomatike që synon të qetësojë situtatën në Lindjen e Mesme. 

Aleatët e Izraelit në Uashington dhe Bruksel janë zotuar të shtojnë sanksionet kundër Iranit, ndërsa Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron dhe homologja e tij gjermane Analena Baerbok u bënë të dërguarit e parë perëndimorë që vizituan Izraelin që nga ai sulm. “Dua të sqaroj se vendimet tona do t’i marrim vetë” u tha Netanjahu dy ministrave. 

Teherani tha se do të kundërpërgjigjet nëse armiku i tij i përhershëm, Izraeli, i përgjigjet sulmit të së shtunës, i cili filloi pas dëmtimit të ndërtesës së konsullatës së Iranit në Damask në fillim të këtij muaji. Për sulmin vdekjeprurës është fajësuar Izareli. 

“ABC News” raportoi të enjten se Izraeli u përgatit dhe më pas i ndërpreu sulmet hakmarrëse kundër Iranit të paktën dy herë këtë javë. 

Ndërkohë, lufta në Gaza, që ka rritur tensionet rajonale vazhdoi pa ndërprerë pavarësisht përpjekjeve për një armëpushim, që mesa duket do të dështojë, pasi ndërmjetësi kryesor Katari tha se po rivlerësonte rolin e tij në negociatat e bllokuara mes palëve. 

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /