RTSH 24 Live

Sociale

1 Maji - Minatorët, protestë simbolike në Rinas: Është porta nga ku largohen të rinjtë

01/05/2024

1 Maji - Minatorët, protestë simbolike në Rinas: Është porta nga ku largohen të rinjtë

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kanë zgjedhur që protestën më 1 Maj, Ditën e punëtorëve, ta fokusojnë në shpopullimin e vendit dhe largimin e të rinjve. Me një protestë paqësore minatorë zgjodhën pikërisht rrugën e Rinasit si një simbol të kauzës së tyre duke e konsideruar si “portën nga ku largohen të rinjtë”. 

“Protestojmë që fëmijët tanë të mos largohen dhe të ikin jashtë. Kërkojmë sigurimin e vendit të punës së të rinjve dhe të mos largohen. Duam që fëmijët të punësohen në shkollat që mbarojnë dhe jo të përfundojnë kamerierë”, tha një protestuese, e cila kërkon që në Shqipëri të krijohen kushte e duhura që të rinjtë të mos largohen jashtë vendit.

Protestuesit kanë zgjedhur një protestë simbolike, ku nuk kanë krijuar bllokim të rrugës së Rinasit, duke qëndruar me pankarta në duar anës rrugës.

Një nga organizuesit e protestës tha për RTSH 24 se fokusi kryesor i këtij tubimi është pikërisht krijimi i i platforme kombëtare që ka në fokus shpopullimin dhe marrjen e masave të duhura që rinia të mos e shoh të ardhmen e saj jashtë vendit.

“Mesazhi kryesor i kësaj proteste është me shpopullimi që po i ndodh vendit tonë. Me largimin e të rinjve, ekspertëve dhe njerëzve të shkolluar po humbet vendit. Kjo është një hemorragji kombëtare. Jemi në Rinas në mënyrë simbolike pasi është porta që largohen të rinjtë dhe po krijon vështirësi në ekonomi. Ne paguajmë taksa për shkollimin e infermierëve, hidraulikëve etj. dhe këto i gëzon qeveria gjermane apo dikush tjetër. Duhet të hartojmë një strategji të posaçme vetëm për shpopullimin e vendit ku të rinjtë duhet të rrinë në vendin e tyre pasi atdheu ka nevojë më shumë se kurrë për ta”, tha një nga organizatorët e protestës.

Protestuesit patën thirrje edhe për plotësimin e kuadrit ligjor për krijimin e sindikatave si një e drejtë themelore në demokraci.

“Qeveria nuk tregon aspak interes për të bashkëpunuar me sindikatat, ato nuk janë aksesor po pjesë thelbësore e demokracisë. Duhet krijuar baza ligjore e krijimit dhe funksionimit të sindikatave në vend dhe të kthehet besimi i punonjësve në këto sindikata”, tha protestuesi.

Pjesë e kërkesave të tyre ishin edhe kushte më të mira pune, paga më të larta dhe siguria në punë.

/rtsh.al/