RTSH 24 Live

Sport

Silvinjo zyrtarisht shtetas shqiptar, betohet në bashkinë e Lushnjës

21/05/2024

Silvinjo zyrtarisht shtetas shqiptar, betohet në bashkinë e Lushnjës

Trajneri i Kombëtares shqiptare Silvinjo ka marrë shtetësinë shqiptare teksa sot ka realizuar procedurat e marrjes së pasaportës me gjithë betimin e nevojshëm, përkrah ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.

Silvinjo ka qenë i pranishëm në Lushnjë ku siç shikohet edhe në videon e shpërndarë nga ministri i Brendshëm tregohet i gjithë procesi ku trajneri i kombëtares së bashku me gjithë stafin e tij kryejnë procedurat e nevojshme.

Nga ana e tij, trajneri i kombëtares shqiptare falënderoi shqiptarët kanë besuar te puna e tij, ndërsa Kampionatin Evropian të Futbolllit që mbahet në Gjermani (Qeshor-Korrik 2024) e cilësoi si një sfidë mjaft të rëndësishme për kuqezinjtë. 

"Dua të falënderoj shumë popullin shqiptar që ka besuar në punën tonë, Federatës Shqiptare të Futbollit. Jemi shumë të lumtur, kemi bërë një punë të mirë të gjithë së bashku, por afër na pret një sfidë e rëndësishme", tha trajneri Silvinjo. Ndërsa ministri i Brendshëm Taulant Balla pohoi se kishte pritshmëri të larta nga ekipi kombëtar, nisur nga momentet e mira që po kalon.

"Në ceremoninë e organizuar nga bashkia e Lushnjës, të betimit të 4 qytetarëve të rinj të bashkisë, mes tyre edhe treshja, të cilët së bashku me 2 anëtarë të tjerë të stafit kanë drejtuar ekipin tonë kombëtar, së pari në momentin historik të kualifikimit për herë të dytë në një Europian, duke na bërë krenarë. Sot jemi këtu për të bërë betimin, si qytetarë të denjë të Lushnjës dhe gjithë Shqipërisë. Kam patur mundësinë t'ju ndjek nga afër dhe vlerësuar se ekipi jonë është më i bashkuar se kurrë, dhe babai i Kombit, Skënderbeu, na ka mësuar se gjithmonë po të jemi të bashkuar fitojmë çdo betejë", u shpreh Balla në fjalën e tij. 

Ndërkaq, kryetarja e Bashkisë Lushnjë tha se ekipi kuqezi është një pasuri e çmuar kombëtare që mbledh pranë vetes këdo, duke shfaqur  ndjenja krenarie.

Në këtë mënyrë, Silvinjo bëhet trajneri i dytë në historinë e kombëtares shqiptare që merr nënshtetësinë shqiptare, pas trajnerit që bëri po aq histori me kombëtaren, Xhani De Biazit.

/rtsh.al/