RTSH 24 Live

Art

"Isoja e fundit" e "princit të polifonisë labe"

18/02/2021

"Isoja e fundit" e "princit të polifonisë labe"

E këndoi edhe ison e fundit Lefter Cipa, ison e vajit me zërin e shpirtit kur del. Iku në amëshim ëngjëlli i Iso-Polifonisë, apo sic e kanë cilësuar “princi i sotëm” i polifonisë shqiptare, të cilën e ka mbrojtur gjithë jetën e tij 79-vjecare si askush këto kohë, duke e nderuar këngën labe, por edhe duke marrë nder prej saj, titullin "Nder i Kombit". 
Pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë tashmë gjithë çfarë diti e bëri në jetë e ka shpërndarë mirë në pasues më të rinj të grupeve të iso-polifonisë në Shqipëri. Të gjithë kanë ç'të mësojnë prej tij! Do të këndojnë gojë më gojë derisa të bëhen gojëdhëna të 1250 këngët e tij popullore, të 18 librat e tij me poezi të shndërruara edhe në këngë si : “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Zoga kaçake në male”, “Këngë kurbeti”, “Vito Pëllumbesha”, “Hënëz e qiellit të gjerë”, “Moj unaza gur jeshile”, “N sokak të ngushtë”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Kënga e manushaqes”, ” Zonjë e bukurisë”, etj.
Ndarjen e tij nga jeta e ka përcjellë me emocion edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, duke shkruar në mesazhin e tij se "Krijuesi brilant i Bregut, me frymëzim thellësisht kombëtar, iku në përjetësi, për të na lënë të gjithëve një trashëgimi të vyer artistike e kulturore, ku spikatin perlat e polifonisë shqiptare të krijuara mjeshtërisht prej tij dhe që do këndohen në jetë të jetëve, sa të ketë shqiptarë. Familjes Çipa, komunitetit të dashur të Pilurit kuqezi, gjithë poetëve dhe polifonëve, ju përcjell ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të pazëvendësueshme, që na lëndoi të gjithëve. Lefter Çipës i jeton poezia, i jeton kënga, i jeton shpirti kuqezi! I paharruar kujtimi i tij!" 
Edhe Kryeministri Edi Rama ka reguar me fjalët: "LEFTER ÇIPA ishte zëri gurgullues i bregut shqiptar, që i dha jetë një thesari perlash polifonike dhe sot iku nga kjo botë, duke lënë pas jehonën e pashuajtshme të perlave të tij." #TëPaharruar!