Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i vlerësoi shumë konstruktive bisedimet e së martës mes Ukrainës dhe SHBA-ve, ku Kievi pranoi planin e armëpushimit 30-ditor me Rusinë. Ai theksoi se vendi i tij tregoi përkushtim për arritjen e paqes dhe si përgjigje, Shtetet e Bashkuara rivendosën ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës.
Lideri ukrainas tha se dëshiron të përdorë armëpushimin 30- ditor si një mundësi për të hartuar një plan më të gjerë paqeje. Gjatë konferencës ai theksoi se pret masa të forta nga Shtetet e Bashkuara nëse Rusia refuzon propozimin e Uashingtonit për armëpushimin. “Gjithçka varet nga Rusia, nëse dëshiron një armëpushim apo të vazhdojë të vrasë njerëz”- tha Zelenski “Ukraina tregoi se është e gatshme të pranojë një marrëveshje dhe tani Rusia duhet të përgjigjet”- shtoi ai.
Lideri ukrainas tha se mund të diskutojë garancitë e sigurisë me partnerët e saj ndërkombëtarë pas zbatimit të armëpushimit, megjithëse u shpreh se Kievi nuk u beson rusëve. Propozimi i armëpushimit erdhi në një moment të vështirë për Ukrainën në fushën e betejës, pasi po humb terren në lindje dhe jug të vendit, ku zyrtarët thanë se tetë persona u vranë të mërkurën.
Edhe nëse Rusia bie dakord për një armëpushim, shumë gjëra mbeten të pasigurta në negociata. Kremlini në komentet e para mbi propozimin e arritur mes Ukrainës dhe SHBA-ve në Xhedah tha se po priste detaje nga Uashingtoni. Ndërsa Trump tha se zyrtarët amerikane po shkojnë në Rusi për të prezantuar planin. Ai shtoi se pret që Putin ta pranojë armëpushimin.
/rtsh.al/