Departamenti i Arsimit në SHBA ka njoftuar se po planifikon të reduktojë gati gjysmën e stafit të vet si pjesë e një iniciative për të zvogëluar qeverinë federale, një synim i presidentit Donald Trump.
Këto reduktime do të prekin rreth 2.100 punonjës nga të gjithë sektorët dhe shkurtimet do të fillojnë më 21 mars.
Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën për eliminimin e departamentit, një kërkesë e mbështetur nga disa konservatorë, por një hap i tillë kërkon miratimin e Kongresit.
Departamenti i Arsimit, me një buxhet vjetor prej 238 miliardë dollarësh, ka mbi 4.000 punonjës. Ai është krijuar në vitin 1979 dhe ka përgjegjësi për mbikëqyrjen e fondeve për shkollat publike, menaxhimin e huave federale për miliona studentë amerikanë dhe realizimin e programeve për studentët me të ardhura të ulëta.
Në SHBA vetëm 13 për qind e financimit për shkollat fillore dhe të mesme vjen nga fondet federale, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga shtetet dhe autoritetet lokale.
Kur Trump mori detyrën, agjencia kishte 4.133 të punësuar, ndërsa pas këtyre ndryshimeve pritet të mbeten 2,183 punonjës.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/