RTSH 24 Live

Botë

“Dritë jeshile” nga Kremlini për takimin Trump-Putin

5 orë para

“Dritë jeshile” nga Kremlini për takimin Trump-Putin

Kremlini i është përgjigjur aludimeve mbi një takim të mundshëm mes presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u shpreh se Rusia mirëpret synimin e deklaruar të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për të zgjidhur çështjet përmes dialogut, duke konfirmuar qëndrimin pozitiv të presidentit rus Vladimir Putin për bisedimet me homologun e tij amerikan.

“Presidenti ka deklaruar vazhdimisht dëshirën e tij për kontakte me liderët ndërkombëtarë, duke përfshirë presidentin e SHBA-së, Donald Trump”, tha Dmitry Peskov.

Kujtojmë se Trump, i cili do të betohet si president më 20 janar, ka thënë vazhdimisht se mund t'i japë fund shpejt luftës gati trevjeçare midis Rusisë dhe Ukrainës, pa paraqitur një plan konkret.

“Ai kërkon që të takohemi dhe ne kemi filluar ta organizojmë. Presidenti Putin dëshiron që ne të takohemi, madje ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne duhet t'i japim fund kësaj lufte (në Ukrainë), e cila është një makth i vërtetë”, tha Trump gjatë një takimi me guvernatorët e shtetit republikanë në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida.

/rtsh.al/