RTSH 24 Live

Politikë

Demokratët Euroatlantikë: Gjykata e Lartë nuk e rrëzoi rekursin për vulën e PD

10/09/2024

 Demokratët Euroatlantikë: Gjykata e Lartë nuk e rrëzoi rekursin për vulën e PD

Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë, e cila shqyrtoi rekursin e dorëzuar nga Ekelejd Alibeaj dhe dy avokatë që përfaqësojnë grupimin Basha me 4 kërkesa për vulën e kësaj partie, vendosi rrëzimin e rekursit.

Por, Demokratët Euroatlantikë, përmes një reagimi deklaruan se mospranimi i kërkesës për pezullim, s’është rrëzim i rekursit.

“Mospranimi i kërkesës për pezullim, nuk është rrëzim i rekursit të paraqitur nga Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë për vendimin skandaloz të Apelit. Kërkesa e sotme lidhej vetëm me pezullimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatë së Lartë”, thuhet në reagimin e PD-Demokratëve Euroatlantikë.

Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, vijon njoftimi, nuk do të dorëzohen përballë padrejtësisë. Sipas tyre, pazari Rama-Berisha për vulën është një pazar kundër drejtësisë, kundër Shqipërisë.

Në faqen zyrtare të Gjykatës së lartë njoftohet se trupa ka vendosur mospranimin e paraqitur nga kërkuesi Partia Demokratike e Shqipërisë  përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, për  pezullimin e ekzekutimit të vendimit numër 3, dt. 25.03.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Alibeaj ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë përndryshe vendimi i  ish-gjyqtarit Agron Zhukri, i cili në mars 2022 njohu Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha.

/rtsh.al/