RTSH 24 Live

Sociale

“Dëgjoje esenë time!”, aktivitete në kuadër të Ditës Botërore të Ozonit

16/09/2024

“Dëgjoje esenë time!”, aktivitete në kuadër të Ditës Botërore të Ozonit

Në kuadër të 16 shtatorit, Ditës Botërore të Ozonit, në qytetin e Durrësit u zhvillua këtë të hënë një veprimtari informuese dhe ndërgjegjësuese.

“Dëgjoje esenë time!” ishte konceptuar si një kolazh krijimesh të nxënësve të “Top School”, një kontribut i tyre për mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e efekteve nga ndryshimet klimatike. Prezantimi i eseve nga të rinjtë e qytetit bregdetar krijoi një hapësirë të lirshme diskutimi mes tyre mbi rolin dhe ndikimin e njeriut në përpjekjet për parandalimin dhe evitimin e katastrofave shëndetësore dhe pasojave shkatërruese për të gjithë ekosistemin në planet.

Ky aktivitet është pjesë e kalendarit të aktiviteteve që zhvillohen në vendin tonë, si dhe në shtete të tjera të botës, për sensibilizimin dhe informimin e publikut, apo dhe si apel për autoritetet dhe vendimmarrësit për nevojën e zgjidhjes së sfidave të përbashkëta globale.

Njësia Kombëtare e Ozonit në Shqipëri me mbështetjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial, UNIDO, po përfshin në këtë ditë të shënuar nxënës, studentë, ekspertë mjedisi, por dhe përfaqësues të shoqatave dhe grupeve të ndryshme të interesit.

Në qendër të vëmendjes së fushatës informuese dhe të ndërgjegjësimit është Protokolli i Montrealit, i miratuar që në vitin 1987 dhe që pas 37 viteve, ende konsiderohet si marrëveshja ndërkombëtare më e suksesshme historike në fushën mjedisore. Falë përkushtimit të 197 vendeve anëtare, është arritur ndalimi i pjesës më të madhe të substancave ozonholluese, duke u shoqëruar me rezultate të dukshme në rikuperimin e shtresës së ozonit.

Një nga dokumentet kryesore të Protokollit të Montrealit është dhe Amendamenti i Kigalit, të cilin Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që e ratifikoi. Me këtë akt vendi ynë u bë pjesë e kalendarëve për eliminimin gradual të gazeve HFC, sipas përcaktimeve të këtij Amendamenti. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt eliminimit të plotë të këtyre substancave dhe është angazhuar për të vijuar përpjekjet në këtë drejtim.

/rtsh.al/