RTSH 24 Live

Politikë

“Bashkë Fitojmë” kërkon ekspertizë ndërkombëtare për votimin elektronik në Kamzë: Të përsëriten zgjedhjet

25/05/2023

“Bashkë Fitojmë” kërkon ekspertizë ndërkombëtare për votimin elektronik në Kamzë: Të përsëriten zgjedhjet

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kërkon nga KAS, që KQZ të shpallë fitues në Rrogozhinë kandidatin e këtij koalicioni, si dhe ekspertimin kompjuterik të çdo pajisje elektronike që u përdor në votimet elektronike në Kamzë.

Komisioni i Akimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi të enjten elementët e formës dhe të përmbajtjes të kërkesës ankimore të Koalicionit "Bashkë Fitojmë", me objekt kundërshtimin e vendimit për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit për kandidatët për kryetar Bashkia Rrogozhinë, si dhe miratimin e Tabelës së re Përmbledhëse, pas rinumërimit dhe rivlerësimit të votave në të gjitha qendrat e votimit të zonës zgjedhore, Bashkia Rrogozhinë. 

“BF” kundërshton vendimin për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë, si dhe  miratimin e tabelës përmbledhëse, duke hequr rezultatin zgjedhor të qendrës së votimit nr. 2224/1, IEVP Rrogozhinë. 

“BF” kërkon shpalljen fitues për kryetar të Bashkisë Rrogozhinë të Shkëlqim Hoxhës, propozuar nga subjekti zgjedhor "Bashkë Fitojmë". 

Gjithashtu, KAS shqyrtoi elementët e formës dhe të përmbajtjes edhe të kërkesës ankimore të koalicionit "Bashkë Fitojmë" me objekt kundërshtimin e vendimit për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë dhe për Këshillin Bashkiak, në zonën zgjedhore, Bashkia Kamzë. 

“BF” kërkon ekspertimin kompjuterik të çdo pajisje elektronike që është e pajisur me server për ruajtjen e të dhënave elektronike.

Kjo, sipas “BF”, duhet të realizohet nga ekspertë të huaj, të pavarur nga institucionet shtetërore apo KQZ-ja. 

“Për këtë nevojitet që pajisjet të ruhen në kushte të përshtatshme në gjendjen aktuale, me qëllim mosndërhyrjen nga personat e paautorizuar, si dhe të mirëruajtura nga agjentët atmosferikë. Krahasimin e rezultatit elektronik të zgjedhjeve me rezultatin fizik (fletëve të votimit të gjendura në kuti), për çdo qendër votimit. Për këtë kërkohet një process sa më transparent dhe gjithëpërfshirës.

Kqyrjen e kamerave të jashtme dhe të atyre të përdorura brenda qendrave të votimit, me qëllim evidentimin e të gjithë personave të paautorizuar apo pjesë e administratës vendore dhe qendrore në nivel specialist apo drejtuesi, që kanë qenë gjatë gjithë kohës nëpër qendra votimi, evidentimin e mosnënshkrimit të deklaratave përkatëse për votuesit që janë shoqëruar, evidentimin e votimit nga vetë operatorët e PEVN-ve, evidentimin e votimit të komisionerëve për llogari të votuesve. Krahasimin e kodeve të votuesve me listën e votuesve për çdo QV në Bashkinë Kamzë, në lidhje me pajisjen e identifikimit të votuesve (PED). Rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në të gjitha qendrat e votimit të njësisë zgjedhore, Bashkia Kamzë dhe miratimin e tabelës përmbledhëse për zonën zgjedhore Bashkia Kamzë, duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave. Pavlefshmëria  e zgjedhjeve të zhvilluara në zonën zgjedhore bashkia Kamzë, si dhe pasi të jenë kryer veprimet e mësipërme dhe të keni krijuar bindjen tuaj institucionale se kjo nuk është vota e qytetarëve, nga ana juaj kërkojmë përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë, si dhe të Këshillit bashkiak Kamzë"- thuhet në kërkesën e koalicionit “BF”.

Në përfundim të shqyrtimit paraprak, KAS kaloj për shqyrtim edhe këtë kërkesë të koalicionit “BF”.

Koalicioni "Bashkë Fitojmë" kundërshton edhe vendimin për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit/ Këshillit Bashkiak të Bashkisë Krujë. 

“BF” kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve të zhvilluara në ato QV të zonës zgjedhore Bashkia Krujë, ku janë përfshirë komisionerë në kundërshtim me përcaktimet ligjore të Kodit Zgjedhor, si dhe rregullimin e pasojave duke proceduar me ndryshimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit përkatës, duke mospërfshirë rezultatin e qendrave të votimit objekt ankimimi.

/rtsh.al/