RTSH 24 Live

Aktualitet

“21 Janari”- Thirret në SPAK, Agron Kuliçaj

4 orë para

“21 Janari”- Thirret në SPAK, Agron Kuliçaj

Ish-zëvendës Drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj është paraqitur sot në mjediset e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas informacioneve paraprake, Agron Kuliçaj ndodhet në Prokurorinë e Posaçme që prej orës 10:00.

Ai është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen tragjike të 21 janarit, 2011 ku mbetën të vrarë 4 qytetarë gjatë protestës së opozitës socialiste të asaj kohe ndaj pushtetit të Sali Berishës.

Në periudhën kur ndodhi ngjarja, Kuliçaj ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ku ka pasur për detyrë marrjen e masave për mbarëvajtjen e protestës.

Ndërkaq, një ditë më parë në SPAK u paraqit ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, i cili gjithashtu u pyet për “21 Janarin”.

Në atë kohë, Burgaj u akuzua nga opozita se nuk zbatoi urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria.

Nga ana e tij, Burgaj tha se ka zbatuar ligjin dhe urdhër-arrestet. Sipas tij, nuk ka pasur asnjë urdhër që të reagonte.

Dhashë sqarime si person qe ka dijeni. Kam zbatuar ligjin. I kam zbatuar urdhër-arrestet. Asnjë urdhër nuk kemi patur për të reaguar. Policia si asnjëherë tjetër në gjithë historinë e saj ka duruar dhunë në ekstrem dhe nuk ka përdorur as armë dhe as dhunë ndaj protestuesve”, tha Burgaj.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton dosjen e 21 janarit, pas vendimit të gjykatës së Strasburgut gjykoi se vrasja e 4 protestuesve ishte krim shtetëror.

/rtsh.al/