RTSH 24 Live

Politikë

Zyrtarja e lartë amerikane takon Dumanin: Mbështetje e plotë nga SHBA për SPAK-un

16/09/2024

Zyrtarja e lartë amerikane takon Dumanin: Mbështetje e plotë nga SHBA për SPAK-un

Gjatë vizitës së saj në Tiranë, Colleen Hyland, Drejtuese e Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA, është takuar me Drejtuesin e SPAK, Altin Dumani. Lajmi bëhet i ditur nga ambasada amerikane në Tiranë, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Në këtë takim Hyland ka përsëritur mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për SPAK dhe institucionet e pavarura të Shqipërisë, duke theksuar rolin kyç të reformës në drejtësi në përparimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt aspiratave të saj euroatlantike.

Hyland edhe gjatë konferencës së tretë rajonale “Balkanomics” kushtuar rritjes ekonomike, i kushtoi një vëmendje të veçantë punës së SPAK-ut dhe luftën që ky institucion po zhvillon kundër korrupsionit.

“Shqipëria ka bërë një përparim të shkëlqyer falë edhe SPAK-ut, që është një organizatë, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Sondazhet tregojnë se SPAK-u ka fituar respektin e qytetarëve të vendit, sepse ajo ndihmon vendin që të trajtojë çështjet e korrupsionit”, tha Hyland.

SPAK-u, sipas saj, duhet ruajtur dhe forcuar në mënyrë që të dërgohet një sinjal shumë i fortë tek investuesit e huaj dhe tek shqiptarët që të investojnë në vendin e tyre, ndërsa SHBA-të janë të gatshme ta ndihmojnë më tej Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian.

“Në këtë punë të vështirë, korrupsioni duhet të mbahet nën kontroll. Ligjet duhet të përditësohen dhe të sillen në përputhje me standardet e BE-së, dhe për këto duhet fokus dhe vendosmëri”, tha Hyland.

Ajo theksoi se Shqipëria duhet të punojë fort që të arrijë standardet për t’u bashkuar me BE-në, dhe nga ana e SHBA-së çdo mbështetje shkon në drejtim të këtij integrimi, ashtu si edhe për vendet e tjera të rajonit. “SHBA-të e shohin të ardhmen e këtij rajoni askund tjetër veçse që të anëtarësohet në BE”, shtoi Hyland.

/rtsh.al/