RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Zjarri në Spitalin e Tetovës, Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut Venko Filipçe jep dorëheqjen 

11/09/2021

Zjarri në Spitalin e Tetovës, Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut Venko Filipçe jep dorëheqjen 

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe njoftoi të premten në mbrëmje dorëheqjen pas zjarrit të 8 shtatorit në spitalin e Tetovës, shkrian Zëri i Amerikës.

Ministri Filipçe tha në një konferenë shtypi se dorëheqjen ia ka ofruar me shkrim Kryeministrit Zoran Zaev.

“Tragjedia e fundit në Tetovë më ka goditur fort. Më vjen shumë keq për viktimat. Bashkëndjej me familjet e tyre. Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë e as mënyrë për kompensimin e humbjeve. Si mjek dhe ministër kam integritet dhe prandaj sot për arsye morale ia ofrova dorëheqjen me shkrim Kryeministrit Zoran Zaev”, tha zoti Filipçe.

Dorëheqje të premten dhanë edhe drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi, drejtues të tjerë të spitalit si dhe Zëvendës-ministri i Shendetësisë, Ilir Hasani.

Ky i fundit shprehet se dorëheqjen e jep si akt më i lartë moral. “Edhe përskaj faktit se nuk kam asnjë lloj lidhje me procedurat për ngritjen e spitalit modular, edhepse nuk kam asnjë lidhje me pjesën organizative, dorëheqja është akti më i vogël që mund ta bëj në këtë moment, që t’i respektoj viktimat, të lënduarit, publikun dhe vetëveten” shkruante në rrjetet sociale zëvendës-ministri Hasani.

Zjarri në spitalin modular të Tetovës për pacientët me koronavirus u mori jetën 14 vetëve. Ende nuk dihen shkaqet, teksa Prokuroria Themelore e Shkupit dhe ajo e Tetovës po e hetojnë këtë ngjarje të trishtë. Teksa po shtohen kërkesat për përgjegjësi, vendet aleate të NATO-s i kanë ofruar ndihmë autoriteteve mqedonase, përmes prokurorëve dhe paisjeve për të ndihmuar në zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.