RTSH 24 Live

Botë

Zjarret në Los Anxhelos, dy viktima dhe dhjetëra të plagosur

14 orë para

Zjarret në Los Anxhelos, dy viktima dhe dhjetëra të plagosur

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, ndërsa zjarrfikësit në Los Anxhelos vazhdojnë të luftojnë me zjarret anembanë qytetit. 37 mijë banorë janë nën urdhrin e evakuimit të detyrueshëm, teksa rreth 15 mijë struktura janë në rrezik djegieje.

Zyrtarja e Los Anxheles, Ketrin Barger, u ka bërë thirrje banorëve të qytetit që t'i përgjigjen kërkesave për evakuim, duke paralajmëruar se “kjo nuk është një lojë”.

Shefi i policisë së qytetit, Xhim MekDonell tha se ekipet e emergjencës po përballen me "kushte të paimagjinueshme" ndërsa luftojnë për të frenuar katër zjarre kërcënuese për jetën. Ai kërkoi durim dhe unitet.

"Kjo është një kohë tragjike në historinë tonë këtu në Los Anxhelos. Është kritike që në këto kohë, të jemi të durueshëm, të bashkohemi, të përqendrohemi në shpëtimin e jetëve dhe të jemi në gjendje të bëjmë punën më të mirë që mundemi", tha ai.

Katër zjarre të vazhdueshme filluan pothuajse 24 orë më parë në periferi të Pacific Palisades, pranë maleve Santa Monica dhe u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë 2.950 hektarë. Zyrtarët thonë se zjarri ka djegur tani më shumë se 1 mijë struktura.

/rtsh.al/