Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka përfunduar procesi i regjistrimit të votuesve që jetojnë jashtë Kosovës.
“Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht – 26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është 90.860, ndërkaq numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është 18.244”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas Elezit, shqyrtimi i aplikimeve do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme dhe më pas KQZ-ja do të ketë një raport përfundimtar për numrin e qytetarëve të Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
Ndërkaq, ditën e djeshme, partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje tha se synonte që të zgjaste periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës deri ditën e diel.
Por, mbledhja e KQZ-së dështoi për shkak se në të nuk morën pjesë përfaqësuesit e partive opozitare.
Zgjedhjet e përgjitshme në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Në këto zgjedhje, shtetasit e Kosovës jashtë vendit do të mund të votojnë edhe në ambasada dhe konsullata të Kosovës.
Më herët gjatë dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se do të jenë 22 kuti postare në 22 shtete të ndryshme ku pjesëtarët e diasporës do të mund të votojnë. Ndërkaq, votimi fizik do të organizohet në 35 përfaqësi diplomatike dhe konsullore në 22 shtete.
Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës. Në regjistrimin e fundit të popullsisë për herë të parë janë përfshirë edhe shtetasit e Kosovës që jetojnë në diasporë dhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ata janë rreth 550.000 persona.
/rtsh.al/