RTSH 24 Live

Kosovë

Zgjedhjet në veri të Kosovës, Kurti thirrje serbëve: Dilni në votime të vendosni kryetarët që doni

19/04/2024

Zgjedhjet në veri të Kosovës, Kurti thirrje serbëve: Dilni në votime të vendosni kryetarët që doni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve në veri që të dalin të votojnë në zgjedhjet që do të zhvillohen në veri për shkarkimin e kryetarëve aktual.  Komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe drejtohen nga kryetarë shqiptarë, të cilët u zgjodhën pas bojkotit të Listës Serbe në zgjedhjet e prillit të kaluar.

Vetë Lista Serbë tha se do të bojkotoj pjesëmarrjen në zgjedhjet që do të ndërpresin mandatin e kryetarëve aktualë në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Kryeministri Kurti tha se qytetarët duhet të dalin dhe të shprehin me votë të tyre  nëse duan dikë tjetër për t’i qeverisur, por se kjo nuk duhet të ndodh me “bandat e dhunshme që sulmuan KFOR-in dhe policinë e Kosovës”.

“Në komunat të cilat 50% +1 të qytetarëve votojnë për t’ia ndërpre mandatin kryetarëve aktual, ne jemi garancion që kjo do të zbatohet me shpejtësi. Këta kryetarë mund të dalin nga zyrat, por jo me banda fashiste që dhunojnë KFOR-in, gazetarët e policinë e Kosovës. Nuk hyhet ne zyrë as me bomba as me granata, me të cilat janë sulmuar personeli i sigurisë e gazetarët. Prandaj ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim etnie që te dalin dhe te votojnë me 21 Prill për t’ia ndërprerë mandatin kryetarëve aktual, nëse mendojnë se nuk kanë qeverisur mirë, apo që mendojnë se ka njerëz me të mirë që një orë e më parë duhet të jenë në ato zyre. Por, kjo duhet të ndodhë me proces demokratik jo me banda të dhunshme, me banda të dhunshme nuk mund të hyhet në zyre, vetëm me proces zgjedhor”, tha Kurti.

Pas tensioneve në veri, qeveria e Kosovës pranoi që të bëhej zëvendësimi i kryetarëve aktual sipas ligjit, ku kryetari konsiderohet i shkarkuar vetëm nëse merre 50 % plus një votë më shumë nga qytetarët. Në të kundërt zgjedhjet rezultojnë të pasuksesshme.

Rezultati më pas i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme në veri të vendit.

Zgjedhjet e reja në veri u kërkuan nga SHBA dhe BE në mënyrë që situata t’i kthehej normalitetit dhe serbët, që përbëjnë shumicën e popullsisë në këto zona të jenë të përfaqësuar.

/rtsh.al/