Bashkëdrejtues i GERMIN, Lirim Krasniqi ka deklaruar se Kosova është shembull më demokratik në rajon përsa i përket mbajtjes së zgjedhjeve.
Ndërsa komentoi procesin e votimit e numërimit të votave, dhe rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve, ku Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë rreth 42% të votave, Krasniqi u shpreh se votuesit kanë dërguar dy mesazhe përmes këtyre zgjedhjeve. Ai sqaroi se, një mesazh është drejtuar kundrejt partitë në pushtet dhe një mesazh për partitë politike.
“Procesi zgjedhor për nga aspekti teknik i organizimit ishte shembullor, shkoi pa incident, Kosova dëshmoi sërish se është shembulli më demokratik në rajon. Zgjedhjet organizohen shumë mirë, rezultatet dalin shpejt dhe pranohen nga të gjithë aktorët politikë. Votuesi kosovar ka dërguar 2 mesazhe, një për partinë në pushtet, mesazh i cili thotë se duhet bërë kompromis për bashkëqeverisje; dhe për partitë opozitare: ka rritje të besimit, por jo mjaftueshëm për t’i besuar pushtetin”, tha Krasniqi.
Ky i fundit komentoi edhe rezultatin e arritur nga Lëvizja Vetëvendosje, duke deklaruar se nëse Albin Kurti do krijojë qeveri pa Listën Serbe, është i detyruar që të bëjë koalicion me një nga tre partitë PDK, LDK ose AAK.
“Nëse z.Kurti do e bëj qeverinë pa Listën serbe, është i detyruar të bëjë koalicion me një nga 3 partitë e tjera shqiptare, PDK, LDK, AAK.
Nëse do qeveri të fortë dhe të madhe në numra atëherë LDK, ose PDK, nëse do qeveri më të vogël që e dominon ai, atëherë është partia e z.Haradinaj, AAK”, shtoi Krasniqi.
Bashkëdrejtues i GERMIN theksoi se Lëvizja Vetëvendosje duhet të reflektojë dhe të shohë pushtetin si mjet për të çuar para agjendat kombëtare duke bashkëqeverisur me të tjerët.
“VV duhet të reflektojë dhe të shohë pushtetin si mjet për të çuar para agjendat kombëtare duke bashkëqeverisur me të tjerët.
VV nuk do mund të krijojë qeverinë e vetme, pa pakicat, nëse përjashtojmë pakicat etnike, pa bërë koalicion me partitë e tjera shqiptare”, tha Krasniqi.
Pyetur mbi rënien e përqindjes së numrit të votuesve krahasuar me 4 vite më parë, Krasniqi sqaroi se KQZ nuk ka kryer përditësimin e numrit të banirëve që jetojnë në Kosovës, pasi siç tha ai, numri total i votuesve mbetet i njëjtë si me ato të vitit 2021.
“Kjo rënie në përqindje nuk reflektohet dhe në numrin total të votuesve.
KQZ listat zgjedhor nuk i ka të përditësuara mirë me numrin e banorëve që jetojnë në Kosovë. Shifra prej 48% nuk është reale. Ka ende persona që edhe pse kanë ndërruar jetë, nuk janë pastruar nga ato lista. Si votues jemi në të njëjtat shifra.
Në përqindje mund të ketë ndryshime, por numri total i votuesve është i njëjtë me ato të para 4 viteve. Në çdo palë zgjedhjesh shtohen votues të rinj, kjo ndikon në uljen e përqindjes në total”, deklaroi Krasniqi.
/rtsh.al/