Zgjatet me 15 vite afati i vlefshmërisë së patentave. Pas botimit në Fletoren Zyrtare më 6 prill të ligjit për Kodin Rrugor, rregullat e reja kanë hyrë në fuqi këtë të mërkurë (26 prill).
Kryeministri Edi Rama deklaron se tashmë afatet e reja të vlefshmërisë së patentave do të jenë 15 vite, dhe janë përreth 80 mijë shoferë që përfitojnë prej tyre.
Rregullat e reja, thekson Kryeministri, do lehtësojnë qytetarët, duke u shkurtuar ciklet e rinovimit të patentave.
“U THA - U BË
Patentat e makinave tanimë do të kenë një afat më të gjatë të vlefshmërisë së tyre, i cili shkon deri në 15 vjet. Afatet e reja kanë hyrë në fuqi dhe janë afro 80 mijë drejtues mjetesh në të gjithë vendin që përfitojnë prej tyre, në bazë të së njëjtit standard që ndiqet edhe në vendet e BE-së, duke i lehtësuar qytetarët me cikle më të shkurtra të rinovimit të patentës, nga 11-12 rinovime si deri sot, në vetëm 4-5 rinovime sipas afateve të reja nga DPSHTRR, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, një institucion lider në rrugën e reformave e të Revolucionit Digjital”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Kujtojmë se pr.ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, u miratua nga Kuvendi me 101 vota pro në seancën plenare te 16 marsit.
Kodi i ri parashikon heqjen e postblloqeve në rrugët interubane dhe kryerjen e ndalimeve të mjeteve nga ana e policisë rrugore në pika kontrolli me kushte të larta sigurie. Shpejtësia do të rritet në disa akse deri në 130 km/h.
Ligji i ri detyron bashkitë të sigurojnë pa pagesë 50 % të parkingjeve, por do të ketë edhe përgjysmimin e gjobave në rast të kryerjes së pagesës brenda 15 ditësh.
Një tjetër ndryshim do të prekë edhe shoferët e rinj që pajisen me patentat të kategorisë B. Në dy vitet e para shoferët e rinj nuk mund të drejtojnë një automjet me fuqi më të madhe se 65 KW/TON.
/rtsh.al/