Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në mbledhjen e të mërkurës ka shqyrtuar vendimet e KQZ-së për dhënien e mandatit të deputetit për Andrea Manon e PD-së dhe Erjon Mekën e PS-së.
Në mbledhjen e drejtuar nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, është shqyrtuar në mënyrë të detajuar vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Andrea Nesti Manos, kandidat i listës shumë emërore të Partisë Demokratike të Shqipërisë, qarku Korçë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021 dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Erjon Shërbet Meka, kandidat i listës shumë emërore të Partisë Socialiste të Shqipërisë, qarku Durrës, për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021.
Mano dhe Meka zëvendësojnë respektivisht ish-deputetët e PD-së dhe PS-së, Ervin Salianji të PD-së dhe Jurgis Çyrbja të PS-së. Salianji është dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burg për akuzën e shpifjes, ndërsa Çyrbja përballet me drejtësinë me akuzat për bashkëpunim me krimin e organizuar.
Pas verifikimit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, rezultoi se nuk ka asnjë paligjshmëri në zgjedhje që t’i pengojë për të bërë betimin në seancë plenare.
Në përfundim të mbledhjes, Spiropali ftoi Andrea Manon dhe Erjon Mekën në seancën plenare të datës 31 tetor 2024 për të bërë betimin, si kusht për të filluar ushtrimin e mandatit të deputetit.
/rtsh.al/