RTSH 24 Live

Europë

Zelensky dhe Musk  polemika  për "sondazhin e planit të paqes"

04/10/2022

Zelensky dhe Musk  polemika  për "sondazhin e planit të paqes"

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj Elon Musk, pasi shefi i Tesla-s postoi një sondazh në Twitter me sugjerimet e tij për t'i dhënë fund pushtimit rus.

Musk u kërkoi 107.7 milionë ndjekësve të tij të votojnë për idetë që përfshinin dhënien e territorit Rusisë.

Si përgjigje, Zelensky postoi sondazhin e tij duke pyetur përdoruesit nëse u pëlqente më shumë personi më i pasur në botë kur ai mbështeti Ukrainën.

Ukrainas të tjerë kritikuan Musk.

Ambasadori në largim i Ukrainës në Gjermani Andrij Melnyk përdori një shprehje të fortë, të cilën ai e përshkroi si "përgjigjja e tij shumë diplomatike".

Ndërkohë, mjeshtri rus i shahut Garry Kasparov tha: "Kjo është idiotësi morale, përsëritje e propagandës së Kremlinit, një tradhti e guximit dhe sakrificës ukrainase".

Idetë e Musk përfshinin vota në pjesë të Ukrainës të pushtuara nga Rusia që Rusia thotë se po i anekson.

Multimiliarderi tha: “Rusia largohet nëse ky është vullneti i popullit”.

Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur tashmë katër rajone të Ukrainës si pjesë të Rusisë, pas të ashtuquajturave referendume të denoncuara si mashtruese nga Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë. Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet.

Musk sugjeroi gjithashtu se bota duhet ta njohë zyrtarisht Krimenë – e aneksuar nga Rusia në vitin 2014 – si pjesë e Rusisë.

Dhjetë orë pasi u postua sondazhi kishte tërhequr më shumë se 2 milionë vota.

Zelensky duke u përgjigjur me sondazhin e tij. duke pyetur: "Cili @elonmusk ju pëlqen më shumë? Ai që mbështet Ukrainën (ose) Ai që mbështet Rusinë."

Tetë orë pasi u postua, ai sondazh ishte votuar më shumë se 1.5 milion herë.

Më herët gjatë pushtimit rus, kompania e internetit satelitore e zotit Musk dërgoi pajisje në vend.

Kjo fitoi popullaritetin e Musk në Ukrainë dhe më pas ai u ftua nga Zelensky për ta vizituar.