RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Zbatimi i marrëveshjes së Prespës, Mickoski: Shkupi e respekton dhe kërkon të njëjtën gjë edhe nga Athina

12/06/2024

Zbatimi i marrëveshjes së Prespës, Mickoski: Shkupi e respekton dhe kërkon të njëjtën gjë edhe nga Athina

Mandatari për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se qeveria që ai do të udhëheq do të respektojë në tërësi marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë atë me Greqinë për ndërrimin e emrit të shtetit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut.

“Marrëveshja është marrëveshje e arritur ndërmjet të paktën dy palëve, dhe të dyja palët duhet ta respektojnë atë. Nëse konkretisht e keni fjalën për Marrëveshjen e Prespës, ne si qeveri e ardhshme e respektojmë deri në detaje, gjithçka që është pjesë e legjislacionit tonë, në Kushtetutë, respektohet në detaje dhe këtu nuk duhet të ketë dilema”, tha ai.

Mickoski shtoi se edhe pala greke duhet të respektojë detyrimet e saj që dalin nga kjo marrëveshje e që kanë të bëjnë me mospengimin e procesit të integrimit euroatlantik dhe në institucionet tjera ndërkombëtare, mospërdorimin e termit “Shkupi” për Maqedoninë e Veriut, zëvendësimin e tabelave udhëzuese në territorin grek, e çështje tjera.

Në të njëjtën kohë pres që edhe nënshkruesi i dytë, që është fqinji ynë jugor, t'i respektojë. Ne kemi krijuar një dokument se sa është zbatuar nga ana jonë dhe sa është zbatuar nga pala greke dhe planifikojmë t'i prezantojmë të gjithë ata që janë kureshtarë të dinë se sa e respektojnë të dyja palët marrëveshjen bilaterale ndërkombëtare”, përfundoi Mickoski.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/