Rikthehet debati për vulën e PD-së. Këtë herë mes Alibeajt dhe Bashës, të cilët aktualisht po drejtojnë subjekte të tjera politike. Enkelejd Alibeaj, nëpërmjet një shkrese zyrtare, bëri të ditur se është tërhequr nga rekursi për vulën e Partisë Demokratike, të bërë në Gjykatën e Lartë, pasi vula i kaloi Sali Berishës më 11 Qershor 2024.
Përmes një kërkese të bërë nga përfaqësuesi i tij ligjor, Rezart Kthupi, njëherësh edhe bashkë-themelues i subjektit të ri politik “Djathtas 1912”, që drejtohet nga Alibeaj, bëhet e ditur heqja dorë nga rekursi. Sipas Alibeajt, nuk ka më interes të ligjshëm pasi përfaqëson një tjetër parti, krejt të ndryshme nga ajo PD është sot.
"Nga ajo kohë e më pas, kanë ndodhur disa ndryshime në pozicionim partiak. Unë tashmë nuk përfaqësoj dhe nuk jam pjesë e grupimit politik e quajtur Partia Demokratike. Nuk mbaj asnjë post, e asnjë tagër përfaqësimi. Për më shumë, tashmë jam i angazhuar në një tjetër subjekt politik, tërësisht të dallueshëm e të ndryshëm nga subjekti i mësipërm. Është fakt publik tashmë, por edhe po ju vë në dijeni, se kanë ndodhur edhe disa akte juridike dhe politike të rëndësishme, siç është p.sh. regjistrimi pranë KQZ i subjektit politik ku unë bëj pjesë, si subjekt garues në zgjedhjet e pritshme të 2025, madje edhe në kuadër të një koalicioni politik.”, thuhet në kërkesën e Alibeajt.
Sipas tij, nën dritën e këtyre fakteve juridike, është shuar interesi i ligjshëm në vazhdimin e këtij procesi gjyqësor, si kusht themelor mbi të cilin ngrihet e vazhdon një proces i tillë. Përveç kësaj, sqaron Alibeaj, interesi i ligjshëm bazohej dikur edhe në pozicionimin politik të dikurshëm, i cili siç shpjegohet më lart tashmë nuk ekziston më.
“Duke qenë se konsideratat e pozicioneve politike janë të rëndësishme sidomos tani nën dritën zhvillimeve politike dhe elektorale, më imponon të qartësoj se mungesa e interesit të ligjshëm dhe atij politik në raport me subjektin politik PD, më pengon ligjërisht, dhe në rrafshin etiko-elektoral të përfaqësoj e të shtyj përpara një proces gjyqësor të tillë nga i cili nuk tërheq asnjë të drejtë apo detyrim. Për më shumë me subjektin politik në fjalë, nuk më lidh asnjë raport politik e aq më pak juridik, madje e konsideroj një subjekt politik me interesa politiko elektorale tërësisht të ndryshme dhe pa asnjë interferim me subjektin politik në të cilin kam aderuar tani e në vazhdim", thuhet në shkresë.
Demokratët euroatlantikë: Na shantazhuan përparase të tërhiqeshin nga rekursi
Por cili është ndikimi i tërheqjes së Alibeajt nga rekursi për vulën e PD-së? Sipas demokratëve euroatlantikë të drejtuar nga Lulzim Basha, pavarësisht vendimit të Alibeajt, nuk kanë hequr dorë nga shqyrtimi i rekursit në Gjykatën e Lartë.
Sipas një deklarate për shtyp nga Partia Demokratike/ Demokratët Euroatlantikë, çdo kërkesë e depozituar nga individë “që nuk janë pjesë e Partisë Demokratike/ Demokratët Euroatlantikë, ka zero efekt në këtë proces.”
“Ata që kanë shpallur sot tërheqjen janë vetëdemaskuar, si autorët e një shantazhi politik për interesa të ngushta personale. Vetëm dy ditë më parë drejtues të Koalicionit Euroatlantik /PD - Demokratët Euroatlantikë, janë kërcënuar, se nëse Koalicioni Euroatlantik, nuk do t’ju nënshtrohej kushteve për bashkëpunim, duke hequr dorë nga identiteti ynë politik, do të përballeshin me tërheqjen nga rekursi në Gjykatën e Lartë. Demokratët Euroatlantikë e kanë provuar me vepra, se nuk ka forcë të na shantazhojë dhe se, nuk biem pre e asnjë presioni. Ne kemi qëndruar dhe qëndrojmë për parime dhe vlera. Duhet të marrë fund koha kur interesat politike i mbivendosen të drejtës në këtë vend.”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Demokratët euroatlantikë deklarojnë se do ta vazhdojmë pa u ndalur, betejën ligjore dhe i kërkojnë Gjykatës së Lartë të marrë një vendim sa më shpejt, bazuar në ligj, “pa u ndikuar nga presioni, shantazhet apo lojërat politike që synojnë të marrin peng Partinë Demokratike për tu mbrojtur nga drejtësia.”
/rtsh.al/