Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar kërkesën e PD-së për ta shtyrë të paktën deri në datë 9 mars afatin e regjistrimit të diasporës.
"Ky refuzimi është një shkelje madhore e Kushtetutës së vendit. Ky refuzim është përjashtimi nga e drejta e votimit e të paktën sipas shifrave zyrtare, të 500 mijë, por shifrat e tjera flasin për 800 mijë shqiptarë jashtë vendit, të cilët i kanë pasur dokumentet e skaduara," deklaroi z. Berisha.
Berisha se shtyrja e afatit të regjistrimit duhet të jetë për të gjithë emigrantët dhe jo vetëm për kategorinë që propozoi Partia Socialiste.
"Pra, nuk bëjmë ne kaste me të drejtën e votës, nuk kemi ne fobira siç ka Edi Rama që ka kryer krime të shëmtuara dhe tani kërkon pas këtyre krimeve, të bllokojë votimin e diasporës," theksoi kryedemokrati.
Pak orë pas zyrtarizimit të koalicionit opozitar dhe regjistrimin e tij nën siglën e "Aleancës për Shqipërinë Madhështore", z. Berisha tha se aleatët do të kenë 8 vende të sigurta në listën e përbashkët të kandidatëve për deputetë.
"Një koalicion shumë i mirë u bë, natyrisht në këtë koalicion vërtet PD ka dhënë 8 vende në listat e garantuara, por demokratët dhe mbështetësit tanë duhet ta dinë se këto 26 parti në tërësinë e tyre përfaqësojnë herë-herë edhe një të tretën e elektoratit shqiptar," tha kryetari i PD-së.
Kryeministrit Rama ai i drejtoi sërish pyetjen nëse ka marrë apo jo mesazh nga SHBA-ja.
Z. Berisha tha se pyetja e tij e para pak ditëve më parë nuk kishte në fokus nëse Rama pajiset apo jo me vizë për të kaluar oqeanin, por nëse i është komunikuar ndonjë qëndrim për hetimin e çështjes [Charles] McGonigal.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/