Mijëra qytetarë serbë nga të gjitha qytetet e vendit u mblodhën mbrëmjen e së shtunës në sheshin qendror të Beogradit, për të protestuar kundër minierave të litiumit.
Qytetarët bllokuan trafikun hekurudhor nën sloganin "Nuk do të gërmoni", më tej stacionin hekurudhor në Beogradin e Ri dhe një autostradë, që të çon përmes kryeqytetit në Nish dhe Zagreb. Tubimit iu bashkuan individë nga të gjitha shtresat e shoqërisë, si artistë, pensionistë, arsimtarë, fermerë, studentë dhe të tjerë.
Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, tha se policia bëri të mundur rikthimin e mbarëvajtjes së trafikut hekurudhor në orën 5:30 të mëngjesit, ditën e diel. Ai paralajmëroi se policia do të ngrejë kallëzim penal kundër autorëve që penguan "trafikun publik ndërkombëtar dhe rrezikuan sigurinë e qytetarëve".
Aktivistët ambientalistë i kanë kërkuar qeverisë të miratojë një ligj të posaçëm për të ndalur gërmimet gjeologjike për shfrytëzimin e litiumit dhe për hapjen e minierave në luginën e lumit Jadar, në perëndim të vendit. Afati 40-ditor që ata kishin vendosur skadoi më 10 gusht.
Pjesëmarrësit në protesta thonë se lëvizja e tyre nuk është politike, por një kauzë civile.
Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, me një postim në rrjetin social "X" i quajti protestuesit "frikacakë dhe gënjeshtarë" dhe shtoi se policia arriti "të shpërbëjë bandën, që kërcënoi hapur se do të vriste presidentin (Aleksandar) Vuçiq".
"Nuk na trembni! Dhe nuk do t'ju lejojmë të rrezikoni Serbinë për hir të interesave personale të mbështetura nga (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti dhe (organizata kroate fashiste) Ustasha me shërbimet e huaja," shkroi z. Vuçeviq.
Presidenti Vuçiq është shprehur se qëllimi kryesor i protestës së 10 gushtit është “rrëzimi i qeverisë”. Ai pritet t'i drejtohet popullit serb me një fjalim për protestat e vazhdueshme.
Vuçiç ka folur vazhdimisht me tone pozitive për projektin “Jadar”, dhe ka thënë se miniera e litiumit duhet të nisë punën më 2026, nëse “ofrohen garanci që nuk do të rrezikohet ambienti dhe jeta e njerëzve”. /AJB
/rtsh.al/