RTSH 24 Live

Kosovë

Vuçiq: Dje u tentua të mbyllej çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE, por s'i lejuam

06/04/2024

Vuçiq: Dje u tentua të mbyllej çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE, por s'i lejuam

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (o. Vucic) deklaroi të shtunën se grupi i punës së ngritur posaçërisht për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës ka rezultuar efikas në bllokimin e një përpjekje të tillë ditën e premte.

"Dje u tentua që të mbyllej gjithçka përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, por falë ndërhyrjes së dy vendeve kjo nuk ndodhi," u shpreh presidenti Vuçiq nga Zemuni, ku koalicioni i tij partiak po garon për Beogradin.

Kreu i shtetit serb tha se nesër do të udhëtojë në Paris, ku e presin takime të rëndësishme.

"Udhëtoj në Paris në mëngjes dhe në mesditë kemi takime të rëndësishme për ne, për Këshillin e Europës dhe për OKB-në," deklaroi presidenti serb, duke iu referuar dy organizatave në të cilat Kosova synon të bashkohet në një të ardhme të afërt.

"Na presin ditë të vështira për sa i përket vendimeve mbi anëtarësimin e Prishtinës në KiE, në OKB, ka presion intensiv nga rajoni, Europa dhe bota," u shpreh z. Vuçiq.

Mediet serbe raportuan se grupi i punës kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës është formuar së fundmi dhe drejtohet nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq (o. Dacic), ndërsa zëvendësi i tij do të jetë drejtuesi i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq.

Më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis (o. Bakoyannis), ku rekomandohej që Kosova të bëhet anëtare e plotë e KiE, pasi i ka përmbushur kushtet.

Z. Petkoviq ka thënë se anëtarësimi eventual i Kosovës në KiE do të ishte një “gjest armiqësor” karshi Serbisë. /RTS, KK

/rtsh.al/