RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrasja e policit Novruz Cenalia, autori i ngjarjes ende në arrati

14/05/2024

Vrasja e policit Novruz Cenalia, autori i ngjarjes ende në arrati

Vrasja e efektivit të forcave Shqiponja në Fier ka ngritur në këmbë forca të shumta policore në kërkim për kapjen e autorit. Kërkimet e policisë kanë vijuar pa ndërprerje edhe gjatë orëve të natës dhe vijojnë edhe në këto momente.

23-vjeçari Asllan Mernica pasi qëlloi me një plumb në kokë policin në Fier u largua nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur.

Mësohet se deri më tani janë shoqëruar dhe marrë në pyetje në komisariat 12 persona për ngjarjen, kryesisht familjarë të autorit dhe mamaja e tij.

Sakaq, mbrëmjen e djeshme (13 maj) u “blindua” zona e Pojanit në Fier, teksa dyshohet se autori ka akoma me vete armën e krimit.

Kujtojmë që Novruz Cenalia u qëllua nga Asllan Mernica, teksa mbante të veshur uniformën e policisë dhe po shkonte të merrte turnin.

Më herët u tha se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, por më pas kjo pistë u hodh poshtë duke thënë se ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti të çastit.

Pasi qëlloi për vdekje 28-vjeçarin, Mernica është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Një operacion i gjerë është shtrirë në të gjithë fshatrat pranë Baltëzës, në hyrje-daljet e Fierit dhe ato të qyteteve të tjera fqinje.

Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 30.000 euro për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e Azgan Mernicës. Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, pasi Policia e Shtetit ju garanton anonimatin.

/rtsh.al/