RTSH 24 Live

Kronika

Vrasja e "Kumbarit" në Shkodër, Veliu mbledh drejtuesit e Policisë: Të zbardhet ngjarja

07/04/2021

Vrasja e "Kumbarit" në Shkodër, Veliu mbledh drejtuesit e Policisë: Të zbardhet ngjarja

Ekzekutimi i tipit mafioz të “Kumbarit” të Shkodrës, Bardhok Pllanaj, çoi në kryeqendrën e Veriut drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili mblodhi në një takim urgjent drejtuesit e policisë lokale.
Ndonëse policia e Shtetit nuk ka dhënë asnjë detaj rreth asaj çka është diskutuar në mbledhje, burime brenda tij bëjnë me dije, se Veliu u ka kërkuar vartësve të tij, që të zbardhin sa më parë ngjarjen dhe të vënë para drejtësisë autorët.
Ky takim vjen pas hetimeve të bëra nga uniformat blu të policisë lokale, të cilat në fakt ende nuk kanë identifikuar apo kapur asnjë autor për atentatin me 120 plumba automatik ndaj 46-vjeçarit.
Bardhok Pllanaj njihej si një nga kriminelët më të rrezikshëm në Shkodër, teksa vite më parë iu sekuestrua një pallat 10-katësh me vlerë 10 milionë euro.
Vrasja e Pllanajt në fakt nuk është e vetmja e pazbardhur ende nga autoritetet policore.
Që nga viti 2018 kryeqendra e veriut është tronditur nga disa vrasje, ku në më pak se dy vite, janë vrarë në mënyrë misterioze 13 persona, ndërsa janë zhdukur dy të tjerë.  Dyshohet që në qytet operojnë dy banda kriminale.
Pllanaj u ekzekutua dy netë më parë në lagjen Dobraç të Shkodrës. Autorët e ndoqën dhe ecën paralelisht me të për 150 metra dhe zbrazën 120 plumba kallashnikovi me mjetin “Range Rover”, ku dhe ndodhej "Kumbari i Shkodrës". Më pas dogjën mjetin dhe u larguan.