RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrasja e 14-vjeçarit, avokati i familjes: Konflikti ka qenë fizik, ku ishte i përfshirë edhe një i rritur

9 orë para

Vrasja e 14-vjeçarit, avokati i familjes: Konflikti ka qenë fizik, ku ishte i përfshirë edhe një i rritur

Avokati i familjes së 14-vjeçarit që humbi jetën pranë shkollës “Fan Noli”, Redi Ramaj, ka shprehur shqetësime mbi mënyrën e trajtimit të ngjarjes nga ana e policisë.

Në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH, avokati tha se ka pasur shumë amulli në hetimet që po kryhen, dhe familja ka qenë e detyruar të ndjekë nga afër procesin hetimor për të siguruar që të mos ketë pasur asnjë pasaktësi.

Avokati theksoi se, megjithëse policia ka deklaruar se ka vetëm një autor, dyshimet e familjarëve mbeten të forta. Një tjetër shqetësim ka të bëjë me kohën kur ka nisur konflikti. Familja dyshon se përplasja mund të ketë nisur disa ditë më parë se dhe ka pasur konfrontim fizik me një të rritur.

“Ka pasur shumë amulli në mënyrën se si është trajtuar ngjarja nga ana e policisë. Familja është detyruar të ndjekë edhe mënyrën se si policia po heton këtë ngjarje që të mos ketë asgjë të paqartë. Policia ka thënë se ka vetëm një autor, ndërkohë plagët janë marrë nga dy armë të ftohta të ndryshme. Familjarët kanë dyshime se konflikti nuk ka nisur të hënën, por të para disa ditësh më parë të premten dhe më pas shkoi deri në fatalitet. Thuhet nga dëshmitarë që ka pasur edhe një person tjetër madhor që ka ndërhyrë në këtë konflikt, ku ka qenë konflikt fizik dhe jo vetëm verbal të premten disa ditë para ngjarjes tragjike. Kjo duhet hetuar, ne nuk duam të aludojmë asgjë, por duhet të gjemë të vërtetën për këtë ngjarje”, u shpreh avokati.

Avokati ka kërkuar që kjo çështje të hetohet më në thellësi, duke theksuar se është e rëndësishme të zbulohet e vërteta për këtë ngjarje tragjike. Ai ka shtuar se familja nuk po aludon për asgjë, por kërkon që të nxirret e vërteta e plotë e kësaj ngjarjeje të dhimbshme.

/rtsh.al/