Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të mbajë sot seancën për votimin e Qeverisë së re, që do të drejtohet nga Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së. Qeveria e re do të ketë 24 ministri dhe pjesë e saj, përveç VMRO DPMNE-së, do të jetë koalicioni VLEN, që e përbëjnë katër parti shqiptare dhe partia ZNAM, të cilën e përbëjnë ish-anëtar të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM).
Për zgjedhjen e Qeverisë së re duhet të votojnë 61 deputetë, ndërsa sipas rregullores së Kuvendit, debati nuk mund të zgjasë më shumë se dy ditë.
Këto parti kanë një shumicë parlamentare prej 78 deputetëve nga 120, gjithsej.
Në fjalimin para deputetëve, i nominuari për kryeministër, Hristijan Mickoski do të prezantojë ministrat e kabinetit qeveritar dhe programin e punës.
Sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian i vendit, do të jenë prioritetet kryesore të punës së Qeverisë, sipas Mickoskit dhe partitë shqiptare të koalicionit VLEN, që do të drejtojnë 6 ministri në Qeverinë e re, janë zotuar se do të kenë një qasje të ndryshme nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila ishte në pushtet që nga viti 2002.
Izet Mexheti, i cili në Qeverinë e re do të jetë zëvendëskryeministër i parë, ka thënë se “puna dhe jo demagogjia” do të jenë parimet mbi të cilat do të angazhohen ministrat shqiptarë në Qeveri.
Pjesëmarrja e koalicionit VLEN në Qeveri, për Bashkimin Demokratik për Integrim është jolegjitime, pasi BDI-ja, e cila drejton Frontin Evropian, thotë se opozita e deritanishme shqiptare ka humbur zgjedhjet më 8 maj, andaj edhe nuk mund t’i përfaqësojë shqiptarët. BDI-ja pretendon se VLEN-i i ka “dëmtuar interesat shqiptare” duke pranuar rolin e “vasalit” në Qeverinë e Mickoskit.
/rtsh/