RTSH 24 Live

Aktualitet

Vlorë - Hiqen 120 çadra dhe shezlonge pa leje, procedohet penalisht administratori

30/06/2024

Vlorë - Hiqen 120 çadra dhe shezlonge pa leje, procedohet penalisht administratori

Policia e Vlorës vijon kontrollet në kuadër të planit operacional policor të koduar "Plazh i lirë",  në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe, për pushuesit.

Sakaq këtë të diel (30 qershor) policia ka sekuestruar 120 çadra dhe shezlongë në vijën bregdetare Lungomare ndërsa procedohet penalisht administratori i subjektit të paregjistruar në organet tatimore, i cili zuri hapësirën publike në plazh duke i vendosur çadrat dhe shezlongët pa lejen përkatëse.

“Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë, nga Komisariati i Policisë Vlorë, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin I. B., 55 vjeç, banues në Vlorë", thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.

Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i lirë” do të vijojë intensivisht në qarkun Vlorë.

/rtsh.al/