RTSH 24 Live

Botë

Viktor Orban mban shall me "Hungarinë e Madhe", Rumania dhe Ukraina reagojnë me zemërim

23/11/2022

Viktor Orban mban shall me "Hungarinë e Madhe", Rumania dhe Ukraina reagojnë me zemërim

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka zemëruar Rumaninë dhe Ukrainën, vende këto në lindje të Hungarisë, pasi u shfaq në publik me një shall që përmbante një hartë të "Hungarisë së Madhe". Shalli, që kryeministri e mbajti gjatë një ndeshjeje mes Hungarisë dhe Greqisë, përfshinte një territor të vjetër perandorak hungarez që ekzistonte para se Austro-Hungaria të mposhtej në luftën e parë botërore. Në shall, përfshiheshin pjesë të Rumanisë dhe Ukrainës të ditëve të sotme.

Në një mesazh dërguar ambasadorit hungarez në Bukuresht, Rumania dënoi fuqishëm gjestin e Orban, ndërsa Ukraina ka kërkuar falje zyrtarisht nga kryeministri hungarez.

Në Facebook, si reagim i qëndrimeve të vendeve që shprehën zemërim ndaj vendosjes së shallit nga ana e tij,  Orban tha se “ekipi kombëtar hungarez ishte skuadra e të gjithë hungarezëve kudo që jetojnë. Futbolli nuk është politikë. Le të mos shohim se çfarë nuk ka," shkruajti ai si përgjigje.

Për vite me radhë, kryeministri hungarez, Viktor Orban, është kritikuar gjerësisht në Evropë për frenimin e lirisë së medias dhe të drejtave të pakicave dhe grupeve të shoqërisë civile, si dhe për miqësinë e tij të gjatë me presidentin rus Vladimir Putin. Ai është akuzuar për minimin e vlerave thelbësore të BE-së, ndërsa akuzon Brukselin për tejkalim të kompetencave të tij.

Rreth 1.2 milionë hungarezë etnikë jetojnë në Rumani dhe 150,000 në Ukrainën perëndimore. Më parë ka pasur tensione mbi përpjekjet e Orban për të promovuar identitetin hungarez në të dy vendet.

/rtsh.al/