Është ekstraduar nga Franca drejt Shqipërisë Behar Bajri, i shumëkërkuar për një sërë veprash penale. 43-vjeçari Bajri, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, ndërsa u arrestua në muajin shtator në Francë.
GJKKO vendosi ndaj Bajrit “Arrest me burg” për një sërë veprash penale, sikurëse: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, kryer në bashkëpunim”.
Bajri në bashkëpunim me shtetas të tjerë vranë më 9 gusht të 2020-ës në Shkodër Gjin Ndojin (i cili njihej dhe dhe si Gjin Boriçi).
Në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, ku u zbulua një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore, emri i Behar Bajrit ishte në krye të listës pasi kishte planifikuar që të vriste Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin.
Nga përgjimet rezultoi se ai komunikonte me biznesmenin Pëllumb Gjoka, tashmë edhe ky i arrestuar, pasi përmes SkyECC komunikonte me Gjokën dhe i kërkonte që të dilte sa më shpejt nga paraburgimi, pas arrestimit në kuadër të operacionit ‘OAZ’, që u zhvillua në vitin 2018.
Bajri, sikurse rezultoi nga përgjimet, ishte gati që të ofronte shuma të mëdha parash, në këmbim të zbutjes së masës së sigurisë.
Po ashtu, Bajri, akuzohet se ka vrarë në gjumë partneren e tij 15-vjeçare, Fabiola Bajri dhe shtetasin Arben Tuzi, ngjarje këto të vitit 2002.
“43-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, i zhvilluar në muajin gusht, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, kryer në bashkëpunim”.
Shtetasi B. B. dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka vrarë shtetasin Gj. B.(N.), më datë 09.08.2020, në Shkodër. Gjithashtu dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar bashkëpunëtorët e tij, iu ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e kundërshtarëve, për të organizon prita, me qëllim vrasjen e tyre”, thuhet në njoftim.
Reagimi i Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar mbi ekstradimin e Bajrit duke garantuar se rezultate të tilla, do të vijojnë.
"Përgëzime Policisë së Shtetit, Policisë franceze dhe natyrisht INTERPOL për bashkëpunimin në gjetjen e personave në kërkim nga drejtësia shqiptare. Ka përfunduar me sukses procesi i ekstradimit në Shqipëri të shetasit B.B., i cili ishte shpallur në kërkim nga drejtësia. Rezultate të tjera si ky do të vijojnë", tha Balla.
/rtsh.al/