I gjithë territori i qarkut Kukës është përfshirë të premten nga reshje shiu me intensitet mesatar, shoqëruar me erë të fortë.
Prefekti i qarkut të Kukësit, Agron Geca tha për ATSH-në se “si pasojë e kushteve të motit të gjitha akset kombëtare rrugore vazhdojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve duke krijuar vështirësi të përkohshme në qarkullimin normal të mjeteve në disa segmente rrugore”.
Sipas tij, subjektet kontraktore kanë punuar gjatë gjithë kohës me të gjitha kapacitetet për mbajtjen funksionale të tyre.
Geca theksoi se “aktualisht të gjitha akset rrugore kombëtare janë të qarkullueshme normalisht”.
“Nga bashkia Kukës dhe Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente. I gjithë qarku i Kukësit furnizohet normalisht me energji elektrike, përveç njësisë administrative Kolsh, Surroj , Arren dhe Malzi, bashkia Kukës, njësia administrative Lekbibaj, Bujan, Llugaj, Bytyç, Fierzë dhe Tropojë, Bashkia Tropojë. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal”, tha Geca.
/ rtsh.al /