Venjat e Dishnicës është një nga 79 monumentet natyrore që përmban Qarku i Korçës.
Banorët e cilësojnë zonën tepër të veçantë dhe pishat që janë në përbërje të një moshe mbi 500-vjeçare, e që sipas tyre, të tilla gjenden vetëm në Rumani.
Janë dhjetëra pisha shekullore me historinë e të cilave mburren banorët e zonës.
Venjat pozicionohen në kodrën e fshatit Dishnicë dhe rruga që të çon drejt tyre kalon përmes një terreni disi të vështirë.
Kur përfundon rrugëtimin deri në majë shfaqet përpara fusha mahnitëse e Korçës, ndërsa pishat dhe pemë të ndryshme rrethojnë kishën 5-shekullore të fshatit.
Banorët thonë se në lidhje me historinë e tyre nuk ka të dhëna të sakta.
Nuk dihet se kush mund t’i ketë mbjellë apo nëse farat e tyre janë shtegtuar nga një vend në tjetrin përmes zogjve e më pas ato janë rritur në këtë kodër, por një gjë është e sigurt: ato janë tepër të veçanta dhe banorët i ruajnë me fanatizëm.
Madje banorët besojnë se pishat kanë një moshë më tepër se 500-vjeçare dhe si ato ka vetëm në Rumani e në këtë fshat.
Venjat e Dishnicës janë një ndër 79 monumentet natyrore që ka Qarku Korçë, krahas Ishullit të Maligradit, Gurit të Kamjes, Pishës së Voskopojës, Gurit të Capit, Shpellës së Trenit etj.
Gazetarë: G. Sali dhe M. Mehori
/rtsh.al/