RTSH 24 Live

Aktualitet

Vengu me studentët e AFA: T'i kushtojmë më shumë rëndësi sigurisë kombëtare

3 orë para

Vengu me studentët e AFA: T'i kushtojmë më shumë rëndësi sigurisë kombëtare

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji dhe komandanti i Akademisë, gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, ishte në Fakultetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, aty ku zhvillohen programet e studimit të ciklit të dytë.

Ministri Vengu pa nga afër infrastrukturën moderne dhe të avancuar për zhvillimin e mësimit teorik dhe praktik si dhe bisedoi me pedagogët dhe studentët e tre programeve master që AFA ofron. Ai përgëzoi studentët që zgjodhën dhe besuan te Akademia e Forcave të Armatosura dhe ofroi mbështetje për ta dhe stafin pedagogjik.

Më pas, z. Vengu zhvilloi një bashkëbisedim me studentët e programit Master i Shkencave në "Siguri dhe Politikë Ndërkombëtare në fushën e Mbrojtjes", ku biseda u fokusua te interesi kombëtar dhe siguria kombëtare.

Në fjalën e tij, ministri Vengu theksoi nevojën për një vëmendje më të madhe të shoqërisë sonë në përgjithësi ndaj kërcënimeve të sigurisë edhe në vende në dukje të largëta, siç janë aktualisht Ukraina apo Lindja e Mesme, efekti i të cilave mund të arrijë deri në Shqipëri. Gjithashtu, z. Vengu përmendi shembuj konkretë të kërcënimeve të aktorëve të huaj mbi infrastrukturën kritike si në Shqipëri, por edhe së fundmi në Kosovë, e cila pas sulmit terrorist në kanalin e Iber-Lepencit më 29 nëntor, u mbështet nga ana energjetike për plot 48 orë nga Shqipëria falë interkonjeksionit mes dy vendeve.

Më tej, ministri përmendi edhe Industrinë Ushtarake të vendit tonë, shkatërrimin e së cilës e konsideroi si një gabim shumë të madh. Ai e cilësoi industrinë ushtarake jo si një industri vetëm të Forcave të Armatosura, por si një industri mbështetëse për gjithë ekonominë e vendit, për të cilën tha se me ndryshimet e fundit ligjore, janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta ringritur atë industri.

Për vitin akademik 2024–2025, Akademia e Forcave të Armatosura ofron tre programe të avancuara të ciklit të dytë të studimeve që mbulojnë disa nga fushat më të rëndësishme të mbrojtjes, sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale, duke kontribuar në zhvillimin e profesionistëve të kualifikuar për t’u përballur me sfidat e sigurisë globale. 

Studentët e programeve të studimit të ciklit të dytë për vitin akademik 20242025, vijnë si ushtarakë aktivë nga Forcat e Armatosura, punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, institucioneve të tjera të sigurisë në vend dhe nga jeta civile.

Akademia e FA po përgatitet që shumë shpejt të ofrojë edhe programet e studimit të ciklit të tretë, ato të doktoraturës.

/rtsh.al/