Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen vitin e ardhshëm, pasi kancelari Olaf Scholz humbi mocionin e mosbesimit.
Qeveria e tij ra në muajin nëntor pas mosmarrëveshjeve mbi buxhetin, edhe pse koalicioni i drejtuar prej tij ka qenë i paqëndrueshëm për muaj të tërë.
Scholz e humbi votëbesimin me 394 vota kundër tij, 207 pro dhe 116 abstenime.
Zgjedhjet janë të caktuar të mbahen në 23 shkurt të vitit të ardhshëm dhe në garë do të jenë shtatë parti të mëdha për të cilat do të votojnë gjermanët. Katër prej tyre kanë bërë të ditur zyrtarisht kandidatët e tyre për kancelar.
Dy partitë gjithmonë prezente të politikës gjermane, Kristiandemokratët (CDU) dhe Unioni Kristian Social (CSU), i njohur jozyrtarisht si Unioni, përbëjnë një grupim. Socialdemokratët ose SPD formojnë një tjetër.
Duke pasur parasysh sistemin gjerman të përfaqësimit proporcional, qeveria tenton të formohet në një koalicion, i kryesuar zakonisht nga CDU/CSU ose SPD. Fituesi kërkon një aleat për të formuar shumicën.
Që nga viti 2021, SPD e Scholz-it qeverisi në një koalicion jo të lehtë me Partinë Liberale Demokratët e Lirë (FDP) dhe Partinë e Gjelbër.
Në 16 vitet para koalicionit trepartiak të Scholz-it, CDU, nën Angela Merkel, ishte mbështetur si në SPD ashtu edhe në FDP si partnerë në qeveri të ndryshme.
CDU/CSU këtë herë do të udhëhiqet nga Friedrich Merz dhe SPD nga kancelari aktual, thellësisht jopopullor, Scholz.
Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Deutschland (AfD) ka parë performanca të forta në zgjedhjet rajonale duke i dhënë asaj një shtysë kombëtare.
Bashkudhëheqësja e partisë, Alice Weidel, është kandidate për kancelare. Ajo është e njohur për të folurit e shkathët dhe politikat populiste, veçanërisht për migracionin. Ajo është një mbështetëse e flaktë e ruajtjes së vlerave tradicionale gjermane, duke thënë të famshmen "askush të mos ma prekë shnicelin!" – një referencë për pjatën popullore.
Partia e Gjelbër mund të luajë një rol të rëndësishëm në formimin e qeverisë së ardhshme. Të Gjelbrit do të udhëhiqen nga Robert Habeck, aktualisht ministër i Ekonomisë.
Tri partitë e tjera të mëdha do të jenë Demokratët e Lirë; BSW, një grup socialist i krahut të majtë me emrin e udhëheqëses së saj, Sahra Wagenknecht; dhe së fundi Die Linke, një parti politike e krahut të majtë. Të tre ende nuk kanë shpallur zyrtarisht kandidatët e tyre. Me përjashtim të një ndryshimi të madh dhe të papritur në sondazhe, Merz i CDU/CSU ka shumë të ngjarë të jetë kancelari i ri i Gjermanisë.
/rtsh.al/