RTSH 24 Live

Europë

Autoritetet ruse bllokojnë aplikacionin e mesazheve Viber

3 orë para

Autoritetet ruse bllokojnë aplikacionin e mesazheve Viber

Autoritetet ruse bllokuan Viber në vend këtë të shtunë sepse operatori dyshohet se shkel ligjin e brendshëm.

Rregullatori rus i komunikimit, Roskomnadzor, njoftoi që prej 13 dhjetorit se kishte bllokuar aksesin në aplikacionin e mesazheve Viber.

Ky veprim është pjesë e një goditjeje më të gjerë ndaj platformave të mediave sociale nga autoritetet ruse.

Sipas Roskomnadzor , ndalimi u vendos për shkak të shkeljeve të supozuara të rregulloreve që synojnë të luftojnë terrorizmin, ekstremizmin dhe trafikun e drogës.

Prokurorët vendosën Viber nën hetim për përhapjen e “informacionit për të destabilizuar rendin politik dhe shoqëror në Rusi”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TAS. Ndërsa, Viber nuk ka komentuar të gjithë rastin.

Që nga viti 2018, operatorët e platformave të komunikimit në Rusi duhet të ruajnë të dhënat private të përdoruesve, si thirrjet, mesazhet, fotot dhe videot dhe t’ia ofrojnë ato shërbimeve të inteligjencës sipas kërkesës.

Autoritetet ruse kanë forcuar më tej censurën në vend që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës në shkurt 2022.

Viber u gjobit vitin e kaluar për gjoja diskreditimin e forcave të armatosura ruse duke dështuar në fshirjen e informacionit në lidhje me luftën siç urdhërohej nga Kremlini.

Rusia ka bllokuar tashmë një numër aplikacionesh të njohura të mesazheve dhe rrjeteve sociale. Kështu, LinkedIn, Facebook, Instagram dhe Signal nuk mund të përdoren në Rusi pa një VPN (rrjet privat virtual)

/rtsh.al/