RTSH 24 Live

Aktualitet

Gjykata Kushtetuese do të vendosë të mërkurën për mandatin e Zaçajt

2 orë para

Gjykata Kushtetuese do të vendosë të mërkurën për mandatin e Zaçajt

Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për të martën (17 dhjetor) vendimin për mandatin e Holta Zaçajt, njëkohësisht kryetare e këtij institucioni. Gjykata Kushtetuese u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e Zaçaj për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares, teksa vendimi u shty për të martën, në mënyrë që Zaçaj të njihet me aktet.

Gjykata Kushtetuese u mblodh sot, më datë 16.12.2024, ora 11:00, për shqyrtimin e kërkesës së Kryetares së Gjykatës Kushtetuese për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj. Gjykata administroi praktikën dokumentare të Gjykatës së Lartë, që ka shoqëruar procedurën për plotësimin e vendit vakant dhe zgjedhjen e zonjës Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, si dhe njoftimin e Kryetarit të asaj gjykate për hapjen e procedurës për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, të cilat, mbi bazën e kërkesës së Gjykatës, janë dërguar zyrtarisht nga Gjykata e Lartë ditën e premte, datë 13.12.2024, ora 16:30. Gjykata vlerësoi që aktet në fjalë t`i komunikohen gjyqtares Holta Zaçaj, njëherazi edhe Kryetarja e Gjykatës, e cila ka vënë në lëvizje këtë proces, me qëllimin për t`u njohur dhe për të vlerësuar paraqitjen e një opinioni me shkrim në lidhje me to. Për këto arsye, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për ditën e nesërme, datë 17.12.2024, ora 13:00”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Interpretimi i mandatit të Holta Zaçaj çoi në përplasje mes Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Zaçaj u emërua në janar të vitit 2023, duke pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha. Duke qenë se emërimi i saj përfshihej në skemën për ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet, me nga tre anëtarë, sipas Gjykatës së Lartë, mandati i Zaçajt përfundon më 10 mars të vitit 2025 dhe më 10 dhjetor ajo duhet të kishte deklaruar përfundimin e mandatit.

Duke qenë që një veprim i tillë nuk u ndërmor, Gjykata e Lartë shpalli vakancën për postin e Zaçajt më 11 dhjetor, vendim që u konsiderua nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese si akt në shkelje të kushtetutës. Sipas Zaçajt ajo është zgjedhur në detyrë me mandat 9 vjeçare dhe jo në vend të ish-kryetares, Vitore Tusha dhe për pasojë pretendon se mandati i saj përfundon në fund të vitit 2025. Për këtë çështje ajo ka kërkuar interpretimin e Komisionit të Venecias.

Megjithatë, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, më 12 dhjetor, thirri mbledhjen e gjyqtarëve për të deklaruar përfundimin e mandatit të saj.

/rtsh.al/