RTSH 24 Live

Aktualitet

Veliaj takon Presidentin e UEFA dhe arkitektin e Air Albania: Shqiptarët të përveshin mëngët për progres

25/05/2022

Veliaj takon Presidentin e UEFA dhe arkitektin e Air Albania: Shqiptarët të përveshin mëngët për progres

Finalja e Conference League që do mbahet mbrëmjen e 25 majit, solli në Tiranë dy skuadrat e mëdha, Roma dhe Feyenoord. Në kuadër të finales së madhe, Kryebashkiaku Erion Veliaj është takuar me Presidentin e UEFA-s, Aleksandër Ceferin. “I lumtur që takova një mik dhe një promovues të madh të Tiranës, si Presidenti i UEFAs, Aleksandër Čeferin. Ideja e tij për të krijuar Europa Conference League solli dy skuadra të mëdha, si AS Roma dhe Feyenoord Rotterdam, në finalen e shumëpritur. Me shpresë qe gjithçka të ecë mbarë, si për skuadrat, edhe për qytetin tone”, shkruan Veliaj.

Më pas kryebashkiaku i Tiranës është takuar edhe me arkitektin e ‘Air Albania’, ku ka dhënë dhe një mesazh për të gjithë skeptikët për projektin e qeverisë për stadiumin, i cili sipas tij sot, është kthyer në qendër të vëmendjes. Veliaj shkruan se ka ardhur koha që shqiptarët të mos e pengojnë më njëri-tjetrin por të përveshin mëngët dhe të punojnë.

“Në Tiranë, me arkitektin unik, Marco Casamonti️, autori i stadiumit tonë të bukur, Air Albania. Si shumë projekte të Rilindjes Urbane - sheshi, pazari, liqeni, bulevardi, unaza - edhe stadiumi u sha dhe u përfol pa pushim! Sot që është kthyer në qendër të vëmendjes. A mos ka ardhur koha që ne shqiptarët të mos pengojmë njëri-tjetrin, por të përveshim mëngët për punë dhe progres?”, shkruan Veliaj.

/rtsh.al/