Ukraina shënoi këtë të martë 1000 ditë që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë të Rusisë, ndërsa mijëra qytetarë kanë humbur jetën, mbi 6 milionë të tjerë jetojnë si refugjatë jashtë vendit dhe popullsia ka rënë me një të katërtën që kur udhëheqësi i Kremlinit, Vladimir Putin urdhëroi nisjen e pushtimit nga toka, deti dhe ajri, një sulm që filloi konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Humbjet ushtarake kanë qenë katastrofike, megjithëse mbahen sekrete nga të dyja palët. Ndërkohë raportimet se presidenti i SHBA Joe Biden dha dritën jeshile që raketat amerikane të përdoren kundër objektivave ushtarakë brenda Rusisë, ndryshojnë tërësisht politikën amerikane ndaj konfliktit 33-mujor. Megjithatë ky vendim ende i pazyrtarizuar nga administrata Biden mund të ndryshohet kur Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në janar.
Republikani, që ka paralajmëruar se do t'i japë fund shpejt luftimeve, vë në pikëpyetje të ardhmen e ndihmës ushtarake amerikane dhe frontin e bashkuar perëndimor kundër Putinit dhe i hap mundësinë negociatave për t'i dhënë fund luftës.
Ndërkohë përpara një mundësie të tillë Moska dhe Kievi po përpiqen të përmirësojnë pozicionet e tyre në fushën e betejës. Nga njëra anë ushtria ruse është përforcuar me dronë sulmues iranianë, predha dhe raketa balistike të Koresë së Veriut, por edhe me të paktën 11 mijë trupa koreano-veriorë. Ndërkohë Ukraina thotë se ka pushtuar një pjesë të vogël të territorit rus në Kursk.
Presidenti ukrainas Zelenski tha se vendi i tij duhet të bëjë gjithçka për t'i dhënë fund luftës vitin e ardhshëm përmes rrugëve diplomatike. Por për Kremlinin objektivat e luftës mbeten të pandryshuar. Putin kërkon që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për t'u bashkuar me NATO-n dhe duhet të tërhiqet nga katër rajonet e Ukrainës që kontrollohen pjesërisht nga forcat ruse.
/RTSH/