Presidentët e Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara kanë shfaqur gatishmëri të arrijnë një marrëveshje, ndërsa udhëheqësit botërorë mblidhen këtë javë në Konferencën e përvitshme të Sigurisë në Mynih. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Arash Arabasadi takimi i Mynihut mbahet për të diskutuar, ndër të tjera, të ardhmen e sigurisë së Kievit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u tregoi së fundmi gazetarëve një hartë, që më parë ishte sekrete, e cila tregon vendndodhjen e mineraleve të rralla të vendit të tij.
“Këto depozita janë tejet të vlefshme… vlejnë shumë. Kjo është arsyeja pse ne duhet t'i mbrojmë. Kjo është ajo që duan amerikanët. Nëse duan të bëjmë marrëveshje, atëherë ta bëjmë marrëveshjen”, thotë presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky.
Presidenti amerikan Donald Trump thotë se është i hapur për negociata.
“Ne duam të bëjmë një marrëveshje me Ukrainën. Ata do të sigurojnë atë që po u japim në këmbim të mineraleve të rralla dhe objekteve të tjera”, thotë Presidenti Trump.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit, Mike Waltz gjatë fundjavës i bëri jehonë kërkesës së presidentit për të vazhduar ndihmën amerikane për Ukrainën në këmbim të burimeve natyrore të vendit.
Mineralet e rralla janë të rëndësishme për prodhimin e motorëve elektrikë dhe pajisjeve për komunikim.
Presidenti Zelensky thotë se rreth 20 për qind e burimeve të Ukrainës janë në pjesë të vendit që janë pushtuar nga forcat ruse.
Ai e quan rajonin Dnipro të Ukrainës “shumë të pasur” dhe paralajmëron se nëse Rusia i kontrollon ato depozita minerale, Moska mund t'i dërgojë tek kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara si Irani apo Koreja e Veriut.
Së fundmi forcat ukrainase kryen sulme me dronë kundër forcave ruse përgjatë lumit Dnipro.
Presidenti Zelensky thotë se Rusia e di vendndodhjen e burimeve natyrore nga hulumtimet gjeologjike të epokës sovjetike.
Presidenti ukrainas thotë se ka diskutuar me Presidentin Trump gjithashtu mbi idenë e magazinimit të gazit natyror të lëngshëm të Shteteve të Bashkuara në depot e nëndheshme të Ukrainës.
Kievi u përball sërish me sulme ajrore, pasi forcat ajrore të Ukrainës thonë se rrëzuan gati gjysmën e 139 dronëve lëshuar nga Rusia. Nga zyrtarët lokalë nuk njoftohet për dëme apo viktima.
Ndërkohë, ligjvënësit gjermanë miratuan vitin e kaluar një fond të posaçëm prej rreth 107 miliardë dollarësh për të forcuar ushtrinë e vendit në përgjigje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ushtria gjermane aktualisht ka rreth 179 mijë trupa dhe sipas njoftimeve të mediave, Berlini synon të arrijë në 203 mijë trupa deri në vitin 2031.
“Situata në Evropë ka ndryshuar për shkak të luftës në Ukrainë. Pra, tani, ku zona të tëra po ndryshojnë, ne duhet të përgatitemi për një luftë ndoshta në të ardhmen dhe duhet të mbushim rezervat tona”, shkruan VOA.
Udhëheqësit botërorë do të takohen këtë javë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në Gjermani për të diskutuar, mes temave të tjera, mbështetjen për Ukrainën. Bisedimet zhvillohen nga 14 deri më 16 shkurt.
Botë
Udhëheqësit botërorë takohen në Konferencën e Sigurisë në Mynih
12 orë para
![Udhëheqësit botërorë takohen në Konferencën e Sigurisë në Mynih](https://rtsh24.s3.eu-central-1.amazonaws.com/2025/02/c410cdd7d31d4d598559977e77cc9fa2.png)