RTSH 24 Live

Sociale

U ndërtua 125-vjet më parë, emigrantët rikonstruktojnë kishën në Curraj të Epërm në Tropojë

09/08/2022

U ndërtua 125-vjet më parë, emigrantët rikonstruktojnë kishën në Curraj të Epërm në Tropojë

Kisha e Currajve të Epërm në Tropojë, e cila i mbijetoi edhe regjimin komunist, pas shumë vite gjendje të mjerueshme, tashmë mund të vizitohet nga besimtarët, por edhe turistët.

Kisha e ndërtuar 125-vjet më parë në Curraj të Epërm të Tropojës, e cila këtë fillim-gusht arriti të rikonstruktohej falë mbështetjes së bijve të kësaj zone, të cilët jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë!

E ndërtuar në vitin 1897, në një nga fshatrat e cilësuar si “Perla e Alpeve”, i shpallur kohët e fundit një nga 115 fshatrat turistikë të Shqipërisë, tashmë ajo mund të presë çdo besimtar apo rit fetar.

Ajo u bekua nga Ipeshkvi Dom Simon Kulli, i Dioqezës së Sapës, i cili mbajti  dhe një Meshë në mjediset e saj.

Emigrantët e kësaj zone kanë bërë të mundur edhe hapjen e rrugëve nëpër male për të lehtësuar jetën e banorëve që jetojnë aty, por edhe për tu dhënë mundësi turistëve të njihen me bukuritë e Alpeve.

Shtëpitë, kullat prej guri, bjeshkët e larta në të dyja anët dhe lumi i pastër, që përshkon mes për mes fshatin, e bën Currajn e Epërm një nga  fshatrat më të bukur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më tej.

Aktivitete të mbajtur në këtë kuadër synohet t’i shërbejë edhe promovimit e lartësimit të vlerave historike, kulturore, turistike, rikthimit të jetës së re në fshatin Curraj i Epërm, si dhe të arrijnë  zhvillimin e gjithanshëm e të pandalshëm të jetës në kullat e tokat e të parëve.

I ndodhur në një luginë magjepsëse, që ndan Nikajn dhe Mërturin në Tropojë, në veri të Shqipërisë, fshati Curraj i Epërm, renditet si një ndër fshatrat më të izoluar të rajonit, por që shfaq një nga pamjet madhështore të peizazhit të Alpeve, një destinacion turistik i pashkelur, perlë e turizmit malor.

/rtsh/