Pas verifikimeve nga ana e policisë, prokurorisë dhe ekspertët e mjekësisë ndaj 32-vjeçares, e cila u gjet e pajetë poshtë urës së Dajlanit në Durrës, është konstatuar se ajo është goditur me një mjet prerës.
“Nga verifikimet e kryera u bë i mundur identifikimi i kësaj shtetaseje, konkretisht u gjet e pajetë shtetasja L. P., 32 vjeçe, banuese në Sukth, Durrës.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera paraprakisht nga grupi i posaçëm i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore, si dhe nga këqyrja e trupit të pajetë të 32-vjeçares, dyshohet se kjo shtetase e ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve të marra në trup, nga një mjet prerës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për këtë ngjarje, policia ka shoqëruar 17 persona të cilët dyshohen se kanë dijeni për këtë rast.
“Deri më tani, në ambientet e Policisë së Durrësit, janë shoqëruar 17 shtetas të cilët dyshohet se kanë dijeni për këtë rast.
Grupi hetimor vijon hetimet e thelluara për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti, si dhe për të përcaktuar autorësinë e tij”, përfundon njoftimin policia.
/rtsh.al/