RTSH 24 Live

Aktualitet

U arrestua nga RENEA, kush është Astrit Avdylaj, "Niçja" i Shijakut, "karriera" në botën e krimit

29/06/2024

U arrestua nga RENEA, kush është Astrit Avdylaj, "Niçja" i Shijakut, "karriera" në botën e krimit

Ditën e sotme forcat speciale të policisë, RENEA, arrestuan një nga emrat e njohur të botës së krimit në zonën e Shijakut, Astrit Avdylaj, i njohur edhe si ‘Niçja’ i Shijakut, mbi të cilin ndër vite kanë rënduar akuza për vrasje, trafik droge, grup i strukturuar kriminal etj.

Avdylaj ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit ‘Revanshi’.

Arrestimi i tij është përshëndetur edhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili shkroi në rrjetet sociale: “Arratia nga përballja me drejtësinë po merr përgjigjen e duhur çdo ditë. Përgëzime Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Forcës së Posaçme Operacionale dhe RENEA për gjetjen dhe ndalimin e një shtetasi të kërkuar nga drejtësia në Shijak. Mbështetja për Policinë e Shtetit dhe rritja e bashkëpunimi me agjencitë ligj-zbatuese brenda dhe jashtë vendit po konsolidon revanshin e sundimit të ligjit kundër krimit të organizuar.”

Përse kërkohej Avdylaj?

Avdylaj dilte në bisedat e aplikacionit Sky Ecc të dosjes ‘Metamorfoza 3’, teksa komunikonte me personazhe të tjerë të botës së krimit për vrasjen e Durim Bamit.

Ky i fundit është arrestuar tashmë në Dubai dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri, pasi edhe mbi Bamin rëndojnë një sërë akuzash për vrasje, bashkëpunim në vrasje, trafik droge, krim i organizuar, grup i strukturuar kriminal etj.

Dyshohet se Avdylaj kishte siguruar kushtet për Ervis Martinajn, ish-deputetin socialist, Arben Ndoka dhe personazhe të tjerë të botës së krimit, për vrasjen e ‘të fortit’ të Niklës, Durim Bami.

Avdylaj i dërgoi nipin e tij, Aldo Avdylajn dhe Arben Mërkurin, Arben Ndokës për të realizuar qëllimin.

Nga ana tjetër, Astrit Avdylaj gjithashtu akuzohet se ka organizuar në bashkëpunim me persona të tjerë, futjen në Shqipëri në mënyrë ilegale të nipit të tij nga Mali i Zi në mënyrë që të realizonte vrasjen dhe të kishte më pas alibi.

Zhdukja e bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, riktheu në media dhe përballë autoriteteve emrin e Astrit Avdylajt.

Ky i fundit u lakua si kontakti i fundit i Martinajt, para se të zhdukej pa gjurmë më 9 gusht të vitit 2022.

Dy muaj pas zhdukjes së Martinajt, ndërkohë që fati i tij ishte mister, policia kreu disa kontrolle në disa zona të Shqipërisë ku operojnë grupe të ndryshme kriminale. Mes tyre, ishin edhe Avdylajt. Forcat Speciale dhe rrethuan zonën ku jetojnë Avdylajt dhe kryen kontrolle në banesat e tyre, me shpresën se do të gjenin gjurmë të të zhdukurit.

Astrit Avdylaj u mor dhe në pyetje nga prokuroria e Kurbinit si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por ka mohuar që të ketë dijeni për fatin e Martinajt apo të ketë pasur kontakte me të.

Akuza me të cilën do të duhet të përballet Astrit Avdylaj, i njohur edhe me nofkën ‘Niçja’, është ajo e ‘sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal’.

Kush është Astrit Avdylaj, si nisi ‘karriera’ e tij në botën e krimit?

Astrit Avdylaj ishte në listën e njerëzve më të kërkuar nga drejtësia shqiptare në vitin 2013, pasi rezultonte si i dënuar me 12 vite burg për vrasje.

Ai në botën e krimit njihet si “i Urti”, pasi në dallim nga të pjesëtarët e tjerë e të grupit, i zgjidhte punët pa përdorur dhunën.

Grupi i Shijakut njihet si një grup i përbërë me njerëz të dhunshëm. Babai i tre fëmijëve, ai u përfshi që në vitet ’90 në trafikun e drogës dhe të kokainës.

Me kalimin e viteve, ai u bë edhe më i fuqishëm, me lidhje të forta në kokat e krimit. Vëllezërit Avdylaj, Shkëlqim, Jasin, Astrit dhe Altin, akuzohen për vrasje, prostitucion, trafik droge, si dhe disa vepra të tjera penale.

Vrasja e vitit 1996

Në vitin 1996 u vra më armë zjarri, Dritan Avdylaj, kushëriri i parë i Astrit Avdylajt, i cili ishte koka e bandës së Shijakut. Ai i kishte vendosur një gjobë biznesmenit Tefik Hyka, pronari i fabrikës së tullave në Vorë.

Dritan Avdylaj u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut” për të marrë paratë që i kishte kërkuar Tefikut, por në momentin që bashkë me shokun arrin në lokal goditet me një breshëri plumbash nga një vrasës me pagesë i ardhur nga Tirana, Durim Kusi.

Astrit Avdylaj, djali i xhaxhait të Dritanit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali merr hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin.

Ndërkohë që spiralja e hakmarrjes nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin. Ndërkohë që Jasmin Avdylaj është dënuar më parë në Itali pasi u përfshi në vrasjen e një marshalli italian. Ai kishte disa vite që ishte liruar nga burgu dhe jetonte në Shijak.

Goditja e policisë ndaj Avdylajve

Policia e Shtetit goditi familjen Avdylaj në Shijak duke arrestuar tre vëllezërit, kushëririn e tyre të parë dhe mbi 20 anëtarë të bandës që akuzoheshin për trafik heroine në Shqipëri dhe në Gjermani.

Të arrestuar ishin vëllezërit: Astrit Avdylaj, që është koka e bandës, Flamur Avdylaj, (që u lirua më vonë) dhe Shkëlqim Avdylaj.

Ndërsa përpos tyre u prangos edhe kushëriri i parë, Jasim Avdylaj së bashku me H. Hoxha, të dënuar në Turqi për trafik heroine, si dhe mbi 20 persona të tjerë.

Familja Avdylaj është pronare e dhjetëra bizneseve në Shijak, Durrës dhe disa qytete të tjera të vendit.

/rtsh.al/