Serbia dënoi të shtunën paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO të stacionuar në Kosovë, për dështimin e tyre të supozuar, sipas saj, për të ndaluar “veprimet brutale” të policisë së Kosovës, kundër serbëve etnikë dhe tha se forcat e saj të armatosura të vendosura pranë kufirit, "do të qëndrojnë në gjendjen më të lartë të gadishmërisë, deri në një njoftim të dytë".
Udhëheqja më e lartë politike dhe e sigurisë e Serbisë, e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiç, u takua në Beograd të shtunën pas përleshjeve të dhunshme një ditë më parë midis policisë së Kosovës dhe serbëve etnikë, ku u lënduan dhjetra persona.
Në përgjigje të përleshjeve, Vuçiç të premten urdhëroi trupat që të vendosen më afër kufirit me Kosovën.
“Për shkak të përdorimit brutal të forcës nga (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti dhe forcat e tij kundër popullit serb në Kosovë, forcat e armatosura të Republikës së Serbisë do të mbeten në nivelin më të lartë të gadishmërisë luftarake”,- thuhet në një deklaratë pas takimit të lidershipit më të lartë serb të shtunën.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se misioni civil ndërkombëtar dhe trupat e udhëhequra nga NATO, që janë stacionuar në Kosovë që kur trupat serbe u detyruan të largoheshin nga rajoni në vitin 1999, "nuk e bënë punën e tyre" për të mbrojtur serbët.
Zëdhënësja e NATO-s Oana Longescu u bëri thirrje “institucioneve në Kosovë që të de-përshkallëzojnë menjëherë situatën”. Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve që “të zgjidhin situatën përmes dialogut”.
Longescu shkroi në Twitter se NATO “mbetet vigjilente dhe do të sigurojë një mjedis të sigurt” në Kosovë. Apnews
/rtsh.al/