Presidenti Donald Trump tha se kishte dhënë urdhër për sulme ajrore kundër drejtuesve të lartë të Shtetit Islamik në Somali. Një nga objektivat e sulmit, tha udhëheqësi amerikan, ishte një zyrtar i lartë që harton sulmet e organizatës terroriste si dhe drejtues të tjerë.
“Këta vrasës, të cilët i zbuluam tek fshihen nëpër shpella, kërcënuan Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”, shkroi Presidenti Trump në rrjetin ‘Truth Social’. “Sulmet i shkatërruan shpellat ku jetonin ata dhe vranë shumë nga terroristët, pa dëmtuar popullsinë civile”.
Sulmet e së shtunës kishin si objektiv malet Golis, tha Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili shtoi se vlerësimet fillestare tregojnë për eliminimin e shumë operativëve terroristë. Ai tha se nuk pati dëmtime mes popullsisë civile. Shefi i ri i Pentagonit tha se sulmet dëmtojnë aftësitë e organizatës së vetëquajtur Shteti Islamik “për të organizuar dhe ndërmarrë sulme terroriste” që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara, partnerët e saj dhe popullsinë civile.
Gjatë administratave të ndryshme, si demokrate ashtu edhe republikane, ushtria amerikane ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj grupeve terroriste në Somali. Vitin e kaluar, një sulm amerikan i koordinuar me Somalinë eliminoi tre militantë të grupit Shteti Islamik, sipas ushtrisë amerikane.
/rtsh.al/