RTSH 24 Live

Botë

Trump nënshkruan urdhrat e parë presidencialë, fal rreth 1600 të pandehur për revoltën në Kapitol

4 orë para

Trump nënshkruan urdhrat e parë presidencialë, fal rreth 1600 të pandehur për revoltën në Kapitol

Fare pak orë pas betimit si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka bërë lëvizjen e parë për sulmin e Kapitolit.

Trump lëshoi falje presidenciale të plotë dhe të pakushtëzuar për rreth 1600 persona të dënuar apo arrestuar në lidhje me sulmin e 6 janarit të 2021-shit në Kongres, duke përmbushur kështu premtimin e tij.

 “Kjo është një gjë e madhe. Shpresojmë që ata të dalin sonte, sinqerisht”, tha Trump ndërsa nënshkroi faljet në Zyrën Ovale mbrëmjen e së hënës, pasi ai iu referua të dënuarve si “peng”.

Trump gjithashtu udhëzoi Departamentin e Drejtësisë që të hedhë poshtë të gjitha paditë në pritje, kundër personave që lidhen me 6 janarin.

Por falja e më rreth 1600 personave nuk është i vetmi vendim që mban firmën e Trump. Ky i fundit duket se sapo është ulur në Zyrën Ovale ka nisur të vërë në zbatim me firmë e vulë të gjitha premtimet e bëra gjatë fushatës, duke konkretizuar kështu paralajmërimet e bëra më herët.

Një prej këtyre paralajmërimeve ishte dhe shkarkimi i shumë prej të besuarve të ish-presidentit Joe Biden.

Trump u shpreh se ekipi i tij ishte në proces të largimit të më shumë se një mijë të emëruarve nga administrata Biden, pasi republikani njoftoi katër largime në mediat sociale, duke përfshirë kuzhinierin e famshëm Jose Andres dhe ish gjeneralin e lartë Mark Milley.

Ndërkaq, Trump anuloi gjithashtu edhe 78 veprime ekzekutive të epokës Biden si një nga veprimet e tij të para si president.

Shtëpia e Bardhë ka publikuar listën e veprimeve tashmë të shfuqizuara të epokës Biden.

Midis tyre është një urdhër ekzekutiv i nënshkruar nga Biden më 1 shkurt të vitit të kaluar, i cili i dha qeverisë amerikane fuqinë për të sanksionuar çdo shtetas të huaj që tenton të sulmojë, frikësojë ose sekuestrojë pronën e palestinezëve në Bregun Perëndimor.

Urdhri origjinal ekzekutiv i Biden paralajmëroi se "nivelet e larta të dhunës së kolonëve ekstremistë" në Bregun Perëndimor kanë arritur "nivele të patolerueshme".

/rtsh.al/