Kremlini refuzoi të dielën të konfirmojë apo mohojë raportimet e mediave amerikane për një telefonatë midis presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Presidenti i SHBA Donald Trump është shprehur se ai ka folur me presidentin rus Vladimir Putin në telefon për përfundimin e luftës në Ukrainë, shkruan New York Post.
Kjo është biseda e parë e drejtpërdrejtë midis Putinit dhe një presidenti amerikan që nga fillimi i vitit 2022, kur nisi edhe pushtimi i Ukrainës.
Trump, i cili ka premtuar t'i japë fund luftës në Ukrainë ende nuk ka treguar publikisht se si do ta bëjë një gjë të tillë.
Ai tha javën e kaluar se lufta ishte një gjakderdhje dhe se ekipi i tij kishte pasur "disa bisedime shumë të mira".
Në një intervistë në bordin e Air Force One të premten, Trump i tha New York Post-it se "më mirë të mos thoshte", kur u pyet se sa herë kishin folur ai dhe Putin.
“Ai (Putini) dëshiron të shohë që njerëzit të ndalojnë së vdekuri”, tha Trump për New York Post. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment jashtë orarit normal të punës.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se "shumë komunikime të ndryshme kanë ndodhur”.
“Këto komunikime kryhen përmes kanaleve të ndryshme” tha Peskov kur u pyet nga TASS për të komentuar drejtpërdrejt raportin e New York Post.
“Personalisht mund të mos di diçka, të mos jem në dijeni për diçka. Prandaj në këtë rast nuk mund ta konfirmoj dhe as ta mohoj”, ka theksuar Pesvok.
Konflikti në Ukrainën lindore filloi në vitin 2014 pasi një president pro-rus u përmbys në Revolucionin Maidan të Ukrainës dhe Rusia aneksoi Krimenë, me forcat separatiste të mbështetura nga Rusia që luftonin forcat e armatosura të Ukrainës.
Putin dërgoi mijëra trupa në Ukrainë në vitin 2022, duke e quajtur atë një "operacion special ushtarak" për të mbrojtur rusishtfolësit në Ukrainë dhe për të kundërshtuar atë që ai tha se ishte një kërcënim serioz për Rusinë nga anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO.
Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, thanë se pushtimi ishte një rrëmbim i tokës në stilin perandorak dhe u zotuan të mposhtin forcat ruse.
/rtsh.al/