RTSH 24 Live

Botë

Trump betohet sot si president i SHBA, paralajmëron nxjerrjen e 100 urdhrave ekzekutivë

3 orë para

Trump betohet sot si president i SHBA, paralajmëron nxjerrjen e 100 urdhrave ekzekutivë

Donald Trump betohet këtë të hënë (20 janar) si presidenti i 47-të në historinë e SHBA-së dhe kthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë në krye të superfuqisë. Dita e Inaugurimit përfshin ceremoninë zyrtare të betimit dhe një paradë festive.

Ceremonia do të zhvillohet në Uashington DC dhe shënon kalimin paqësor të pushtetit nga Joe Biden te Trump, i cili po kthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë jo të njëpasnjëshëm.

Tradita kërkon që betimi të bëhet në shkallët e Kapitolit. Megjithatë, parashikimi për temperaturat e ulëta gjatë kohës që do mbahej ceremonia, çoi në transferimin e saj brenda ndërtesës, aty ku u bë inaugurimi i dytë i Ronald Reganit në 1985.

Presidenti i 47-të i SHBA-së më pas do të hyjë brenda dhomës së Presidentit - pranë dhomës së Senatit - për të nënshkruar dokumentet e kërkuara.

Menjëherë pas kësaj, ai do të ulet në një drekë të organizuar nga Komiteti i Përbashkët i Kongresit.

Vlen të përmendet se 20 janari 2025 është gjithashtu Dita e Martin Luther King Jr., festa federale që nderon liderin e të drejtave civile, e cila bie të hënën e tretë të janarit të çdo viti.

Dita e Inaugurimit të këtij viti do të shënojë vetëm herën e tretë që këto dy ngjarje kombëtare do të përkojnë në të njëjtën ditë, pas inaugurimit të dytë të Presidentit Barack Obama në janar 2013 dhe inaugurimit të dytë të Presidentit Bill Clinton në janar 1997.

Urdhrat ekzekutivë

Por presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka paralajmëruar veprime të shpejta ekzekutive mbi imigracionin, politikën e energjisë dhe operacionet e qeverisë federale për të kontrolluar dhjetëra prioritete të politikave të fushatës.

Trump u zotua gjatë fjalimit të së dielës (19 janar) nxjerrjen e rreth 100 urdhra ekzekutivë në ditën e tij të parë në detyrë. Shumë prej këtyre urdhrave do të dizajnohen për të anuluar ose eliminuar ato të zbatuara nga administrata Biden.

"Do të shihni urdhra ekzekutivë që do t'ju bëjnë jashtëzakonisht të lumtur. Shumë prej tyre. Nesër nuk do të humbim asnjë moment të vetëm,", paralajmëroi Trump një ditë më parë para mbështetësve të tij.

Donald Trump fitoi një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë në nëntor të 2024-ës, duke mposhtur me një rezultat të thellë zëvendëspresidenten Kamala Harris.

Fitorja e Trump, si president i 47-të të Shteteve të Bashkuara, shënoi një rikthim të jashtëzakonshëm për një ish-president i cili refuzoi të pranonte humbjen katër vjet më parë, shkaktoi një kryengritje në Capitol Hill, u ngritën dy akuzua penale dhe u mbijetoi dy atentateve, të projektuar. Trump më parë shërbeu si presidenti i 45-të midis viteve 2017 dhe 2021.

/rtsh.al/