Policia e Shtetit ka zbuluar një magazinë ku mbahej një sasi e madhe fishekzjarresh, të kontrabanduara me qëllim shitjen.
Magazina me qindra koli me fishekzjarre u gjet në rrugën “5 Maji”, ndërsa janë vënë në pranga 2 të rinjtë që administronin së bashku biznesin.
Ne pranga ranë shtetasit I. K, 22 vjeç dhe E. S., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.
“Në magazinë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 391 koli me mijëra fishekzjarre të kalibrave të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë..
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të mos përdorin lëndë piroteknike, në kundërshtim me rregullat dhe me kriteret e përcaktuara në aktet në fuqi, pasi do të ndëshkohen konform ligjit.
/rtsh.al/